100 pemë nga FAU – Mbjellja e pemëve në bllokun “Partizani”
Në datat 21 – 22 Mars 2014 nën angazhimin e studentëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe iniciativës Mbill Pemën Tënde në hapësirën urbane të bllokut “Partizani” në rrugën Muhamet Gjollesha u mbollën 100 peme te ndryshme te llojeve Bredh, Pishë, Bli, Mimozë dhe Qiparis.
Qëllimi iiniciativës është te ndërgjegjësojë arkitektët dhe urbanistët e ardhshëm për impaktin e gjelbërimit në hapësirën urbane në menyrë që të rritet ndjeshmëria kundrejt aspekteve ambientale të projektimit. Synimi i këtij aksioni është të percjellë mesazhe pozitive në komunitet duke ndikuar në krijimin e “kulturës së gjelbër”.
Kjo fushatë mbjelljeje u zhvillua pas workshopit të organizuar në FAU për hartimin e projektit për gjelbërimin dhe përmirësimin e peizazhit në bllokun “Partizani”.
Workshopi është realizuar në dy faza:
1- Projektimi i hapësirës së gjelber nga studentët e FAU nëpërmjet studimit të elementëve të peizazhit dhe analizës së kontekstit aktual në bllokun “Partizani”. Kjo fazë u zhvillua në datat 17, 18, 19 Mars dhe në përfundim të saj u pergatit nga studentët projektzbatimi i mbjelljes së pemëve dhe përmirësimit të peizazhit, i cili filloi të zbatohej në dt. 21 Mars
2- Mbjellja e rreth 100 pemëve në datat 21-22 Mars nëpërmjet kontributit të studentëve dhe pedagogëve dhe me ndihmën e iniciativës Mbill Pemën Tënde, Bashkisë Tiranë si dhe Njësisë Bashkiake Nr.7.
Datat e zgjedhura përkojnë me Ditën Ndërkombëtare të pyjeve, 21 Marsin, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo ditë kujton dhe rrit ndërgjegjesimin mbi rëndësine e pyjeve. Ne këtë ditë inkurajohen përpjekje dhe aktivitete promovuese si mbjellja e pemëve.