Në datat 16 – 20 Dhjetor 2015, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u zhvillua ekspozita

Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve 1945-1990

posterKjo ekspozitë, është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë në të cilën është ndërtuar shumë dhe për të cilën është folur pak, si dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.

Nisma është pjesë e një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit. Njohja, dokumentimi, evidentimi, dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila, ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas ekspozitës së parë që fokusohej mbi Parafabrikatet (Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton, Prill 2015), këtë rradhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e ndërtesave spitalore. Gjatë procesit të hulumtimit, janë shfletuar mbi 10 000 fletë projektesh, nga të cilat janë përzgjedhur materialet që paraqiten, në trajtën e një panorame analitike të ndërtesave më përfaqësuese dhe me veçori arkitektonike.

Ndërtesat e evidentuara përfaqësojnë rastet më të suksesshme të projektimit të spitaleve. Propozimet e hasura janë përgjithësisht interesante dhe, megjithëse mjaft të kufizuara në përbërësit ndërtimorë, zgjidhjet arkitektonike rezultojnë kreative dhe reaguese. Kemi zgjedhur të trajtojmë procesin e projektimit, si treguesi më i mirë për të pasqyruar qasjen ndaj problemit, krijimtarinë, metodologjinë si dhe mendimin apo frymën e kohës. Pikërisht, nëpërmjet projekteve, ne mund të kuptojmë reagimin e projektuesit brenda kontekstit, duke vlerësuar idetë dhe propozimet në përmbajtjen e tyre. Në këtë ekspozitë paraqiten projektet më të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë më së miri përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese.

Ndër projektuesit kryesorë të ndërtimeve spitalore në periudhën 1945 – 1990, veçohen Skënder Luarasi, Mërgim Çano, Fredi Sallavaci, Faik Alimehmeti, Agim Myftiu, Adem Stërmasi etj. Janë pikërisht këta arkitektë që projektuan spitalet kryesore të cilat vazhdojnë ende sot të jenë infrastruktura bazë e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Fragmentet nga arkitektura e spitaleve të paraqitura në këtë ekspozitë, janë pjesë e një mozaiku më të gjerë arkitektonik, social, kulturor dhe politik. Nëpërmjet dokumentimit dhe njohjes së copëzave të këtij mozaiku, synohet të plotësohet gradualisht tabloja e një realiteti të mjegulluar, herë nga harresa dhe herë nga refuzimi i një të kaluare mbi të cilën mbështeten dhe zhvillohen strukturat e sotme urbane. Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.

Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga:

Gjergj Islami, Gjergj Thomai, Marsida Tuxhari

dhe

Albano Guma, Ana Pekmezi, Bruno Rama, Dardan Vukaj, Eris Lila, Rahel Belegu, Suada Muraku

Me mbështetjen e:

Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve