11145190_10153107883836131_4382036638084169915_nNë datat 22 – 26 Prill 2015, në Sallën Motra Tone në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë u zhvillua ekspozita e arkitekturës “Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton” e organizuar në bashkëpunim mes Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës – UPT dhe Arkivit Qëndror Teknik të Ndërtimit – MZHU. Ekspozita është ndër tentativat e para për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e Realizmit Socialist.
Qëllimi i ekspozitës ishte njohja me një nga modelet e zgjidhjes së problemit të strehimit në fundin e viteve 70’ në Shqipëri. Banesat me Pllaka të Parapërgatitura, ose siç njihen ndryshe Parafabrikatet u eksperimentuan si tipologji banimi mbështetur mbi eksperiencat e Bllokut Lindor. Në Shqipëri ato u realizuan me teknologji kineze dhe njohen një zhvillim mjaft intensiv deri në fillimin e viteve 90’. Synimi ishte racionalizimi i kostove, materialeve dhe kohës së ndërtimit nëpermjet procesit të industralizimit të prodhimit të elementëve ndërtimore. Për këtë arsye, në Tiranë u ndërtua uzina e 2000 apartamenteve në vit e cila mundësoi ndërtimin e komplekseve të banimit në mbarë vendin nëpërmjet parapërgatitjes së pllakave të mëdha prej betoni që transportoheshin e më pas montoheshin në kantier. Ne Tiranë perllogaritet që rreth 6% e polpullsisë sot jeton në keto ndërtesa.
Vëzhgimi i ekspozitës fillon nga modeli i së shkuares e deri tek problemet e së sotmes që mbartin këto struktura duke evidentuar evoluimin dhe përshtatjen e organizmave ndërtimore e urbane me një realitet të ri shoqëror, ekonomik dhe politik. Hulumtimi është kryer nëpermjet studimit të materialeve arkivore, imazheve historike, fotove aktuale, literaturës dhe rasteve studimore. Gjithashtu një vëmendje e veçantë i është kushtuar ilustrimit të teknologjisë ndërtimore nëpërmjet hollësive teknike si dhe pamjeve filmike e animacioneve të realizuarara për këte qëllim.
Kjo histori e rrëfyer me tone gri, shkon përtej pllakave të betonit duke synuar hapjen e një debati mbi të ardhmen e stokut të banesave në Shqiperi.

Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga:

Gjergj Islami, Gjergj Thomai

dhe

Albano Guma, Dardan Vukaj, Dorina Sako, Elton Disha, Gejsu Selimi, Saimir Vukaj

Me mbështetjen e:

Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve