Nënshkruhet në Korçë marrëveshja e cila i hap rrugën Masterit Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture, i pari në Shqipëri i këtij lloji. Në prag të vitit të ri akademik arkitektë, inxhinierë ndërtimi dhe profesionistë të fushave të tjera jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijve do të kenë mundësinë të ndjekin studimet e Masterit të parë të Restaurimit.
Në pritje të studentëve të parë të cilët do të përfitojnë nga kjo mundësi, në një aktivitet të veçantë në
Pazarin e sapo restauruar është nënshkruar edhe marrëveshja mes Bashkisë së Korçës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës duke formalizuar këtë hap të rëndësishëm. Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë së Korçës Z.Sotiraq Filo dhe Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Dr. Andrea Maliqari.
Z. Sotiraq Filo, i cili e mori fjalën i pari, shprehu kënaqësinë që ky master do të zhvillohet në qytetin e Korçës dhe prezantoi projektin e rikonstruksionit të ndërtesës ku do të strehohet dega e re e FAU në këtë qytet.
Prof. Andrea Maliqari në fjalën e tij prezantoi programin e Masterit Profesional, bashkëpunimin me Bashkinë dhe pjesëmarrjen në mësimdhënie të pedagogëve të ftuar nga universitete të njohura të huaja. Ai shprehu dhe ambicien për hapjen në vijim të programeve të tjera studimi pranë degës së FAU në qytetin e Korçës.
I pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në ambjentet e Dyqanit të Rakos në Pazarin e Vjetër të Korçës, zv/kryeministri Z. Niko Peleshi ka theksuar se ky mbetet një moment i rëndësishëm për qytetin e Korçës dhe jo vetëm.
“Ky master kombëtar vjen në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me partnerët e duhur. Sot është momenti kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të pasur profesioniste të vërtetë dhe kapacitete profesionale që do të paraprinë dhe do të udhëheqin restaurimin në Shqipëri. E them sot me krenari se nuk ka ndodhur ndonjëherë në vend një aksion më i madh se ky që ndodh sot për restaurimin. Jemi pikërisht këtu, në veprën më të rëndësishme të restauruar në vend, Pazarin e Vjetër të Korçës”, deklaroi Peleshi.
E pranishme në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka qenë edhe ministrja Znj. Mirela Kumbaro e cila në fjalën e saj është ndalur tek impakti dhe rëndësia e Masterit ne formimin e restauratorëve të rinj si dhe liçensimin e tyre. Ministrja Kumbaro mbasi uroi mbarëvajtjen e Masterit i dorëzoi Dekanit të FAU Prof. Florian Nepravishta një numër librash për bibliotekën që do të vihet në shërbim të studentëve.
Nderonin me pjesëmarrjen dhe Rektori i Universitetit ” Fan S. Noli” të Korçës Prof. Dr. Ali Jashari, drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” Znj. Arta Dollani dhe personalitete të tjera të qytetit.

Burimi: TCH