foto-ledi

Ledita Mezini

Tema e disertacionit:

NDËRTESAT ARSIMORE NË SHQIPËRI: ANALIZË E ZHVILLIMEVE HISTORIKE E TIPOLOGJIKE

Udhëheqës Shkencor: Prof. Dr. Agron LUFI

 

 “Çdo ndërtesë shkolle reflekton supozimet dhe aspiratat e kohës së saj.”

(Woolner 2010, 12)

PËRMBLEDHJE

Për të kuptuar arkitekturën e shkollave duhet fillimisht të kuptojmë epokën, historinë, ngjarjet, faktorët, influencat, arsyet që kanë sjellë këto forma, këtë fasadë e paraqitje estetike. Kërkimi ngrihet pikërisht mbi enigmën se si është zhvilluar kjo lloj arkitekture në Shqipëri, dhe pasojë e kujt faktorëve, influencave, e ndikimeve janë format e trashëguara sot.

Tentativa për të kuptuar arkitekturën e shkollave nis nga rëndësia mjaft e madhe që ka kjo arkitekturë në edukimin e fëmijëve, shpesh i quajtur si ‘mësuesi i tretë’. Hapësira rrethuese e shkollës, ku fëmijët kalojnë pjesën më të madhe të ditës, përcakton mënyrën se si ata reagojnë brenda këtij dimensioni, e ndikon drejtpërsëdrejti në sjelljen e tyre, procesin e marrjes e dhënies së mësimit e gjithashtu në kushtet shëndetësore. Asnjë godinë nuk lidhet aq fortë e nuk ndikon aq shumë sa ndërtesat e shkollave tek nxënësit, komuniteti dhe silueta urbane. Pikërisht rëndësia që ka ndërtesa e shkollës dhe numri i madh i strukturave shkollore që ekzistojnë, ri-konstruktohen e që kërkojnë të ndërtohen në të ardhmen, lind nevojën që të njohim, të kuptojmë e të arsyetojmë mbi evoluimin, historikun e tipologjitë e tyre në mënyrë që mos përsërisim gabimet e të shkuarës në të ardhmen.

Qëllimi kryesor i kërkimit është të eksplorojë historikun, arkitekturën e ambienteve të mësimit, normativat, standardet, zhvillimin, format arkitektonike më të përdorura, ndërtesat kryesore arsimore në Shqipëri duke u fokusuar në mënyrë kronologjike kryesisht në zhvillimet tipologjike e arkitektonike të “kulturës arsimore” në shekullin e fundit e veçanërisht në periudhën e viteve ’45-‘90, duke qenë se momentalisht kemi ende një numër të madh ndërtimesh ku kryhet mësim nga kjo fazë specifike.

Kjo temë disertacioni kërkon të provokojë debate rreth asaj që ka qenë, është dhe ndoshta e si duhet të jetë e ardhmja e ndërtesave të shkollave, duke ilustruar çështjet dhe temat nëpër të cilat ky grup i madh ndërtesash ka evoluar, faktorët e shumtë që kanë çuar në këto lloj ndërtimesh si dhe eksploron ndryshimet dhe efektet që kanë kaluar në sektorin e edukimit nëpër rrjedhën kronologjike të historisë. Ky hulumtim përcakton kontekstin për këtë sektor, trajton zhvillimet evolutive si dhe eksploron marrëdhëniet dhe influencat kryesore që ndikojnë në mjedisin e ndërtuar të shkollës. Përcakton kush janë problemet kryesore brenda këtij sektori si dhe identifikon disa nga çështjet që i kanë shkaktuar këto probleme në mënyrë të tillë që të merren masa për ndryshimet dhe projektimin e shkollave për të ardhmen në Shqipëri.

Dy metodologjitë kryesore të zgjedhura për të kryer këtë kërkim janë të tipit përshkrimor dhe analitik. Është zgjedhur metoda përshkrimore duke qenë se në thelb të këtij hulumtimi është raportimi i ngjarjeve historike, i zhvillimeve në arsim, i grumbullimit të të dhënave, duke u bazuar edhe në rishikimin e literaturës botërore, por pa influencuar në këta variabël,  dhe është përdorur metoda analitike, ku të dhënat e grumbulluara, faktet, informacionet e mbledhura, analizohen duke bërë një vlerësim kritik të tyre.

Ky kërkim është konceptuar dhe ideuar në katër kapituj kryesorë ku kombinohet në gjithë shkrirjen e tij kriteri kronologjik me atë problemor. Disertacioni është menduar i ndarë në pjesë të cilat trajtojnë çështje të rëndësishme për arsimin dhe arkitekturën që lidhen me ndërtesat arsimore. Hulumtimi i grupuar në katër kapituj kryesorë lidhet me katër tema thelbësore:

Kapitulli 1: Arsimi dhe arkitektura. Ky kapitull trajton nën temat mbi bazën teorike dhe rishikimi i  literaturës mbi historikun e zhvillimeve të ndërtimeve arsimore në botë, efektet që projektimi e dizajni i shkollave sjell në procesin e mësimit, si dhe faktorë të shumtë që merren parasysh në projektim e shkollave. Gjithashtu pjesë e kapitullit të parë janë analiza e shkurtër e arkitekturës së shkollave në botë.

Kapitulli 2: Vështrim historik i zhvillimeve arsimore në Shqipëri. Ky kapitull fokusohet mbi ecurinë kronologjike të arsimit, gjuhës shqipe dhe të mjedisit fizik të edukimit ku ky proces ka ndodhur duke evidentuar ngjarjet kryesore në arsimin Shqiptar.

Kapitulli 3: Arkitektura e ndërtesave arsimore në Shqipëri. Ky kapitull i cili përbën një pjesë të madhe të hulumtimin përbëhet nga një analizë e ndërtesave kryesore të shkollave në Shqipëri duke trajtuar arkitekturën, organizimin, funksionimin e të  dhëna të tjera të këtyre mjediseve kaq të rëndësishme të renditura në bazë kohore, prej fillimit deri në vitet 1944.

Kapitulli 4: Analiza tipologjike e arkitekturore e ndërtimeve arsimore në vitet 1945-1990. Zhvillimet e arkitekturës së ndërtimeve të periudhës 1945-1990 janë grupuar, janë analizuar duke ndarë tipat e shkollave të ndërtuara në Shqipëri, dhe duke i studiuar mbi parametrat, normativat e modelet e dizajnit kryesor të tyre.