REPUBLIKA E SHQIPËRISË
AGJENCIA E SIGURIMIT TË CILËSISË NË ARSIMIN E LARTË
BORDI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 01, datë 07.01.2022
PËR AKREDITIMIN PERIODIK TË INSTITUCIONIT TË ARSIMIT TË LARTË
UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS.
Bordi i Akreditimit, bazuar në Ligjin Nr. 80, datë 17.09.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, Ligji Nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 109, datë 15.02.2017 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë e të Bordit të Akreditimit dhe për përcaktimin e tarifave për proceset e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë”, i ndryshuar, Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr.1, datë 07.04.2017, “Për mbylljen e procedurave të mbartura për shkak të riorganizimit të Institucioneve të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” , Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr. 2, datë 07.04.2017, “Për përcaktimin e kohëzgjatjes dhe afateve të vlefshmërisë së akreditimit në kuadër të vendimmarrjes për akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe Programeve të Studimit”, dhe Vendimin e Bordit të Akreditimit, Nr. Ekstra 1, datë 02.02.2018 “Për miratimin e Rregullores së Bordit të Akreditimit”, në mbledhjen e tij të datës 07.01.2022, në kuadër të
vendimmarrjes për akreditimin periodik institucional të institucionit të arsimit të lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, me të dhënat si më poshtë:
a. Emërtimi i institucionit të arsimit të lartë: Universiteti Politeknik i Tiranës
b. Organizimi i institucionit: Publik
c. Lloji i institucionit: Universitet
d. Njësitë kryesore të institucionit:
- Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës
- Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave
- Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike
- Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike
- Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike
- Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit
- Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
- Instituti i Gjeoshkencave
e. Akti zyrtar i hapjes/licensimit: Vendim i Këshillit të Ministrave Nr. 215, datë 15.07.1991
f. Akreditimi i parë: Vendim i Bordit të Akreditimit 13, datë 07.04.2017
pasi mori në shqyrtim:
a. Dokumentacionin e Vetëvlerësimit, përfshirë të dhënat e përgjithshme institucionale,
Raportin e Vetëvlerësimit dhe dokumentacionin mbështetës;
b. Dokumentacionin e Vlerësimit të Jashtëm, përfshirë Raportin e Vlerësimit të Jashtëm, dhe dokumentacionin shtesë;
c. Vlerësimin e cilësisë në përmbajtje, të kryer nga Grupi i Vlerësimit të Jashtëm, i përbërë nga ekspertë të huaj dhe vendas;
d. Raportimin e Ekspertëve të Vlerësimit në mbledhjen e Bordit;
e. Rezultatet e Vlerësimit të Jashtëm Institucional;
f. Procedurën e vlerësimit të ndjekur dhe monitoruar nga ASCAL;
g. Komunikimin e vërejtjet e institucionit në kuadër të këtij procesi;
h. Raportin e Vlerësimit të Jashtëm dhe rezultatet e akreditimit të parë të këtij institucioni të Arsimit të Lartë;
konstaton se:
a. Procedura dhe procesi i vlerësimit janë kryer në përputhje me parashikimet ligjore dhe nënligjore, procedurën dhe afatet e përcaktuara nga ASCAL për këtë proces;
b. Vlerësimi në përmbajtje është i mbështetur në Dokumentacionin e Vetëvlerësimit, Vlerësimin e Jashtëm dhe gjetjet e verifikimet gjatë vizitës në institucion;
c. Raporti është hartuar në përputhje me kërkesat dhe i mbështetur me fakte, të dhëna e dokumentacion plotësues;
d. Institucioni ka ndërmarrë masa për të përmbushur rekomandimet e lëna nga akreditimi i parë;
e. Rezultatet e vlerësimit të akreditimit periodik janë nxjerrë në përputhje me gjetjet: pikat e forta, pikat e dobëta dhe afirmimet e identifikuara e verifikuara përmes dokumentacionit dhe vizitës në institucion;
f. Rekomandimet e lëna janë në koherencë me gjetjet si dhe shkallën e përmbushjes së standardeve të cilësisë për institucionin në fjalë;
g. Rezultatet e Vlerësimit të Jashtëm në lidhje me shkallën e plotësimit të Standardeve Shtetërore të Cilësisë për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, sipas fushave janë: Fusha 1 “përmbushen kryesisht”, Fusha 2 “përmbushen plotësisht”, Fusha 3 “përmbushen plotësisht”, Fusha 4 “përmbushen plotësisht”, Fusha 5
“përmbushen plotësisht”.
h. Vlerësimi përfundimtar i Grupit të Vlerësimit të Jashtëm për cilësinë akademike për këtë institucion është pozitiv.
Mbështetur mbi rezultatet dhe arsyetimin e mësipërm, Bordi i Akreditimit, VENDOSI:
- Vlerësimin përfundimtar POZITIV për institucionin e arsimit të lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, me rekomandimet sipas shtojcës së këtij vendimi.
- Akreditimin institucional të institucionit të arsimit të lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës, me kohëzgjatjen prej 6 (gjashtë) vite.
- Afati përfundimtar i vlefshmërisë së akreditimit të institucionit është 06/01/2028.
- Ngarkohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë për zbatimin e këtij vendimi, publikimin dhe lëshimin e certifikatës se akreditimit brenda një muaji nga data e marrjes së këtij vendimi, si dhe monitorimin e rekomandimeve sipas shtojcës bashkëlidhur.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Shtojca
Rekomandimet në zbatim të vendimit të Bordit të Akreditimit Nr. 01, datë 07.01.2022, “Për akreditimin periodik të institucionit të arsimit të lartë, Universiteti Politeknik i Tiranës”, janë si vijon:
- Institucioni, të marrë masa për rritjen e cilësisë së publikimeve, duke inkurajuar stafin akademik të publikojë në revista ndërkombëtare të indeksuara dhe revista me faktor impakti.
- Institucioni, të marrë masat për ngritjen sipas standardeve të kërkuara të Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë.
- Institucioni, të marrë masat që Zyra e Karrierës dhe Alumni të jetë plotësisht funksionale.
- Institucioni, të zhvillojë një strategji për integrimin ndërkombëtar, me qëllim rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe integrimin e studentëve dhe stafit akademik të huaj.
- Institucioni, të mundësojë në faqen e tij zyrtare të internetit, hapësirën e nevojshme përkatëse për secilin fakultet dhe informacioni të jetë i qartë, koherent dhe i saktë.
Në përmbushje të rekomandimeve të mësipërme, Universiteti Politeknik i Tiranës, duhet të hartojë një Plan Veprimi konkret dhe ta dorëzojë atë brenda 6 (gjashtë) muajve pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Ngarkohet ASCAL për ndjekjen e përmbushjes së këtyre rekomandimeve dhe raportimin në BA brenda afatit të përcaktuar në Planin e Veprimit.