FTESE
Jeni te ftuar te merrni pjese ne mbrojtjen e disertacioneve për fitimin e gradës shkencore Doktor qe do te zhvillohet ne datën 23 Dhjetor 2019, ne “Aula Magna” te Fakultetit te Arkitekturës dhe Urbanistikes.
PREZANTIMET

OGRI MANE
Kandidat për gradën shkencore Doktor
Ora 09.00-10.00
Prezantim i disertacionit me temë:
ANALIZA E FENOMENIT TË DENSIFIKIMIT TË NDËRTIMEVE URBANE NË QYTETI E TIRANËS. TIRANA QYTET KOMPAKT
Udhëheqjes: Prof. Agron Lufi
Përmbledhje
Ky studim merr në analizë qytetin e Tiranës, në këndvështrimin e një zhvillimi të qëndrueshëm urban. Tirana si qytet është tërheqës nga popullsia qoftë rurale apo urbane. Migrimi është i vazhdueshëm drejt Tiranës dhe kjo shfaqet më mirë edhe nga të dhënat e INSTAT-2015 (Tirana me një rritje 1.4% dhe Durrësi me një rritje prej 0.8%). Kjo ka bërë që popullsia e Tiranës të ketë trend rritës edhe pse në nivel shteti trendi i popullsisë është në ulje. Shtrirja në territor e qytetit të Tiranës në zonën urbane shkon në 42 km² me një dendësi prej afro 14000 ba/km², me një tendencë drejt shtrirjes në territore të reja rurale dhe bujqësore. Dukuria e shtrirjes së qytetit në horizontalitet dhe marrjes së tokave të reja bujqësore, është shfaqur prej kohësh në shtete të ndryshme. Sot kjo teori nuk prezantohet më si një zhvillim i qëndrueshëm. Për këtë arsye kanë filluar prej vitesh të diskutohen terma të reja zhvillimore të cilat çojnë drejt densifikimit të qytetit dhe rigjenerimin e tij brenda shtrirjes së tij territoriale. Kjo zgjidhje sot merr emrin « Qyteti Kompakt ». Opsioni i shtrirjes së qytetit të Tiranës në territor ka kohë që diskutohet. Sipas dy PPV-ve të fundit (2012-2016) flitet për një qytet policentrik me kufij të qartë që zhvillohet brenda shtrirjes urbane aktuale. Pra një qytet të tenton drejt Qytetit Kompakt. Pikërisht ky është edhe problemi kryesor, pyetja: Nëse Tirana mund të zhvillohet si një Qytet Kompakt?
Në këtë kuptim studimi përcakton qartë se ç’është Qyteti Kompakt si teori zhvillimi urban të qëndrueshëm, ç’kuptojmë me të dhe cilat janë karakteristikat urbane dhe dimensionale të tij. Duke pasur këto elemente dimensionale dhe teorike të qarta studimi fokusohet te qyteti i Tiranës duke u ballafaquar me gjendjen e saj aktuale e cila paraqitet e plotë vetëm për parametrat me natyrë objektive, sasiore të matshme siç janë : Koeficienti i shfrytëzimit të tokës urbane (Ksht), Numri i kateve, Densiteti (banorë/ha) dhe (banorë/km²), Intesiteti i ndërtimit (Im²/m²). Këto parametra studiohen nëpërmjet modeleve korelative regresive një faktoriale për të kuptuar sa më mirë varësitë dhe si ndikojnë ata te njëri-tjetri dhe në mënyrë të veçantë varësinë e parametrit Intensitet ndërtimi nga parametrat e tjerë.
Një analizë tjetër e rëndësishme është lidhja që ka parametri urban Intensitet ndërtimi me përfitimin ekonomik.. Në këtë kuadër duke u ndalur vetëm te faza e parë e implementimit të një projekti, te faza e fizibilitetit, është bërë e mundur analiza e rasteve konkrete në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës duke u bazuar në metodologji analitike ekonomike dhe duke analizuar dy tregues ekonomik në varësi të Intensitetit. Këta tregues janë vlera aktuale neto (NPV) dhe norma e brendshme e kthimit (IRR).
Një element i rëndësishëm i kërkimit shkencor është prezantimi në nivel krahasimor i lidhjes që mund të kenë morfologjia urbane dhe tipologjia e banimit me Intensitetin e ndërtimit.
Për ta arritur këtë janë marrë në konsideratë morfologji të ndryshme zonash urbane disa prej të cilave janë të projektuara (jo të realizuara), ndërsa pjesa tjetër janë të realizuara. Analiza e tyre shoqërohet me një të dhënë që është Intensiteti i ndërtimit.
Janë marrë në shqyrtim 56 raste të shpjeguara në nivel fotografik dhe tabelor dhe 10 zona urbane në qytetin e Tiranës. Kjo lloj analize krahasimore na ndihmon të lidhim logjikën numerike sasiore me aspekte perceptimi morfologjike dhe tipologjike të një hapësire urbane.
Konkluzioni përfundimtar është që Tirana në nivel sasior ka mundësi zhvillimi sipas modelit të Qytetit Kompakt.
Fjalët Kyçe: qytet kompakt, intensitet ndërtimor, parametra urban, analiza korelative dhe regresive, analiza ekonomike, morfologji, tipologji.

ROZAFA BASHA
Kandidate për gradën shkencore Doktor
Ora 10.15-11.45
Prezantim i disertacionit me temë:
HAPËSIRAT PUBLIKE PËR TË GJITHË – RASTET STUDIMORE PRISHTINË DHE PRIZREN
Udhëheqjes: Prof. Violeta Nushi; Prof. Andrea Maliqari
Përmbledhje
Tua mundësosh qasjen fizike të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, gjinie, aftësie apo situate sociale, e jetëson dhe i jep kuptim hapësirës publike. Por, në realitet, hapësira publike vazhdon të jetë përjashtuese për shumë individë dhe grupe, për shkak të barrierave të ndryshme arkitektonike, institucionale, kulturore dhe ekonomike. Hapësira publike idealisht përkufizohet si arenë e demokracisë së një shteti. Prandaj, të eliminosh barrierat arkitektonike, pra të angazhohesh të krijosh qasje për të gjithë në hapësirë publike ndikon drejtpërdrejt në prurjen e një shumëllojshmërie më të madhe njerëzish, rritjen e shfrytëzimit të hapësirës publike dhe kontribuon në krijimin e një terreni për ngritjen e demokracisë dhe tolerancës në qytet.
Problemet të qasjes, lëvizshmërisë dhe shfrytëzimit të hapësirave publike në Prishtinë dhe Prizren nga personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit, bazuar në observimet e përgjithshme, analizat, hulumtimet që kam bërë në vitet e fundit, e mbështesin nevojën për një studim të thelluar të kësaj problematike në kontekstin e Kosovës. Përmasat e mungesës së qasjes fizike në mjedisin e ndërtuar në këto dy qytete janë indikatorë të problemeve shumështresore si: mungesa e ndërgjegjësimit qytetar; korniza ligjore e pakompletuar dhe kultura e moszbatimit të ligjit; dhe mosrespektimi i etikës profesionale të dizajnuesve, planerëve dhe arkitektëve gjatë hartimit dhe zbatimit të projekteve.
Andaj, ky studim përpiqet të japë një kontribut shkencor, duke ofruar drejtime zhvillimore dhe modele për eliminimin e barrierave arkitektonike në hapësirën publike, me qëllim të ngritjes së standardit të gjithëpërfshirjes në hapësirat publike në kontekstin kompleks dhe të veçantë shoqëror, politik, mjedisor dhe ekonomik të Kosovës. Metodologjia hulumtuese e përzgjedhur përfshin: shqyrtimin e literaturës; leximin krahasimtar të legjislacionit të Kosovës kundrejt vendeve modele të këtij studimi; analizën makro dhe mikro urbane; dhe një kombinim metodash analitike kuantitative dhe kualitative.
Duke qenë se përkufizimi i hapësirës publike është mjaft i gjerë, ky studim fokusohet në hapësirat publike të tipologjisë shesh qendror. Një nga qëllimet e hulumtimit është identifikimi i përmasave dhe i dimensioneve të problemeve kryesore të hapësirave publike në Kosovë që e pamundësojnë integrimin shoqëror të individëve a grupeve që përballen me problemet e lëvizshmërisë dhe shfrytëzimit të mjedisit të ndërtuar. Qasja fizike në hapësirë publike shikohet nga perspektiva e një diversiteti më të gjerë njerëzor, sesa thjesht nga perspektiva e aftësisë së kufizuar. Ndërsa, problemet e qasjes në mjedisin e ndërtuar shqyrtohen nga perspektiva e legjislacionit dhe e praktikave dizajnuese të nevojshme për eliminimin e barrierave arkitektonike, të vrojtuara karshi standardeve ndërkombëtare projektuese dhe legjislacionit përcjellës të Bashkimit Evropian dhe të shteteve modele të këtij studimi, Sllovenisë dhe Italisë.
Për ta jetësuar këtë qëllim dhe për të mundësuar një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes eliminimit të barrierave arkitektonike në hapësirat publike në Kosovë, i parashtroj dy skenarë zgjidhjesh. I pari propozon plotësimin e kornizës ligjore, për të eliminuar të ashtuquajturat barriera institucionale që i mbajnë të gjalla barrierat arkitektonike. I dyti propozon një model të integruar për vlerësimin e qasshmërisë dhe eliminimin e barrierave arkitektonike në hapësirë publike, si pjesë e politikave lokale për krijimin e një mjedisi pa barriera si parakusht për një shoqëri gjithëpërfshirëse.
Fjalët kyçe: hapësira publike, barrierat arkitektonike, dizajni universal, gjithë përfshirja, Prishtina, Prizreni, legjislacioni, qasja, qasja në mjedisin e ndërtuar.

NURAN SALIU
Kandidat për gradën shkencore Doktor
Ora 11.30-12.45
Prezantim i disertacionit me temë:
METODA AUTOMATIKE NË PROJEKTIM ME APLIKIM NË PROJEKTIMIN E SPITALEVE
Udhëheqjes: Prof. Andrea Maliqari
Përmbledhje
Për gjatë kohë tanimë kompjuteri përbën mjetin kryesor të zyrave arkitektonike duke mundësuar një transformim në mënyrën se si arkitektët manipulojnë me gjeometrinë e formave të cilët ato i konceptojnë. Për të përfshirë kompjuterin jo vetëm si ndihmës vizatimi, nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, ndikuar në mënyrë direkte dhe indirekte nga shkrimet e Alexander (1964) apo edhe të Negroponte (1972), hulumtues të ndryshëm do të krijojnë metoda dhe zhvillojnë eksperimentime të ndryshme me qëllimin për të shfrytëzuar kapacitetet llogaritëse të kompjuterit në procese të ndryshme të projektimit. Sisteme për vizatim dhe modelim, sisteme për analizë si dhe sisteme inteligjente të ndryshme do të prezantohen për t’ju vënë në dispozicion arkitektit.
Paralelisht me sistemet kompjuterike do të shfaqen edhe metoda dhe teknika të ndryshme kompjutacionale të bazuara në logjika të caktuara të proceseve projektuese duke mundësuar përkthim të modeleve arkitektonike në modele matematikore.
Ky studim ka për objektiv identifikimin e sistemeve kompjuterike inteligjente (automatike) dhe metodave-qasjeve kompjutacionale më fleksibile për përdorim në automatizimin e proceseve projektuese të strukturave spitalore si tematikë studimi. Për këtë qëllim, një vlerësim i metodave automatike bazuar në punime të ndryshme si dhe një metodë e re propozohet duke u bazuar në dy metoda tjera kompjutacionale: teoria e reprezentimeve gjenerike dhe arketipi i propozuar nga Steadman.
Metoda e re e propozuar e pagëzuar si ‘teknika e gjendjeve të thjeshta’ paraqet një mekanizëm që krijon fjalorë formash – kubikë universal, kompjutacionalisht të përshtatshme për përdorim në gjuhë të ndryshme programuese. Duke u bazuar në shifrimet binare, njohuritë procedurale dhe deklarative të tipit të ndërtesës, metoda propozon krijimin e konstrukteve logjike (jo-dimensionale) dhe konstruktit dimensional (formës së ndërtuar) për analizë dhe sintezë të formave të spitaleve. Këta dy konstrukte, si gjatë analizës ashtu edhe gjatë sintezës shkëmbejnë informacione njëra-tjetrës përgjatë gjithë procesit.
Qëllimi i këtij studimi është të ofrojë një model teorik dhe eksperimental për analizë dhe sintezë të objekteve spitalore. Duke u bazuar në ‘gjendjet e thjeshta’ si gjenerator primar të formës së spitaleve, kjo qasje krijon një hapësirë kërkimi të përgjithshme dhe të hapur për aplikime të më shumë teknikave.
Për të provuar vlefshmërinë e teknikës së gjendjeve të thjeshta në analizë dhe sintezë të projektimit spitalor, kalimi nga gjendja dimensionale (forma e ndërtuar) në konstrukt logjik është aplikuar në disa spitale të marra në studim si dhe një model teorik i ndërtuar mbi baza të algoritmeve evolucionar është aplikuar në sintezë të formave të spitaleve në nivel të sektorëve funksional.
Si konkluzion, teknika e propozuar e bazuar në ndërveprimin e dy universeve (atë logjik dhe dimensional) jep mundësinë e vendosjes së projekteve spitalore në një bazë kompjutacionalisht të përshtatshme duke mundësuar një përkthim kuantitativ midis formës dhe aspekteve konjunktive të mendjes humane. Në nivel teorik, metoda demonstron që spitalet si struktura komplekse, në esencë përbëhen nga paterna të caktuar (fjalor formash) që qeverisin të gjitha ndërtesat e të njëjtit tip.
Fjalët kyçe: metoda automatike, gjendjet e thjeshta, kubikë universal, konstrukt logjik, konstrukt dimensional, spitale