Njoftohen të gjithë studentët diplomantë se afati i dorëzimit të formularëve të diplomës është dita e enjte dt. 03.03.2016. Dorëzimi bëhet në departament.
Në dt. 28.12.2015, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Entit Kombëtar të Banesave. Nismat e përbashkëta të ndërmarra gjatë këtij vitit nga EKB me mbështetjen e përfaqësuesve të FAU, janë konkretizuar në prag të fundvitit me nënshkrimin e një marëveshjeje, që ka në fokus një temë të ndjeshme: Strehimin.
“Për vitin 2016 ne kemi planifikuar disa projekte e aktivitete, për të cilat do të jetë e nevojshme mbështetja akademike, në interes dypalësh të integrimit dhe ndërtimit të marëdhënieve të bashkëpunimit”, është shprehur në fjalën e saj përshëndetëse Drejtoresha e Përgjithshme e EKB-së, Znj.Doris Andoni. Nga ana e tij Z.Andrea Maliqari, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ka falenderuar Entin për përkrahjen e vazhdueshme, duke e vlerësuar marëveshjen si një hap në kurorëzimin e projekteve të realizuara bashkarisht. “Ju falenderoj për përkrahjen dhe është kënaqësi që kemi arritur deri më sot me vullnetin e mire të bashkëpunimit ta zyrtarizojmë e konkretizojmë me nënshkrimin e kësaj marëveshje”, ka thënë Z.Maliqari.
Aktiviteti i pare për vitin 2016 do të jetë organizimi, bashkëpunimi me UNDP-në, i një workshop mbi standardet, normat dhe rregulloret e ndërtimit, analizimi i boshllëqeve dhe evidentimi i masave e hapave që duhen ndermarrë dhe aktorëve që duhen angazhuar.
“Këto janë fusha që ne i trajtojmë në fakultet me studentët e doktoraturës, lidhja e të cilave me aktivitetin e Entit do të sjellë risi dhe benefite, jo vetëm në aspektin akademik të studimeve, por edhe në lidhjen e punës së studentëve me praktikën. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe me hapa më të mëdha”, ka përfunduar fjalën e tij Z.Andrea Maliqari.
Ndërsa përfaqësuesit e dy institucioneve kanë nënshkruar marëveshjen dy palëshe, duke trokitur gotat për një vit sa më efiçient e të mbarë me sa më shumë risi positive.
Në datat 16 – 20 Dhjetor 2015, në Galerinë Kombëtare të Arteve, u zhvillua ekspozita
Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve 1945-1990
Kjo ekspozitë, është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë në të cilën është ndërtuar shumë dhe për të cilën është folur pak, si dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.
Nisma është pjesë e një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit. Njohja, dokumentimi, evidentimi, dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila, ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas ekspozitës së parë që fokusohej mbi Parafabrikatet (Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton, Prill 2015), këtë rradhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e ndërtesave spitalore. Gjatë procesit të hulumtimit, janë shfletuar mbi 10 000 fletë projektesh, nga të cilat janë përzgjedhur materialet që paraqiten, në trajtën e një panorame analitike të ndërtesave më përfaqësuese dhe me veçori arkitektonike.
Ndërtesat e evidentuara përfaqësojnë rastet më të suksesshme të projektimit të spitaleve. Propozimet e hasura janë përgjithësisht interesante dhe, megjithëse mjaft të kufizuara në përbërësit ndërtimorë, zgjidhjet arkitektonike rezultojnë kreative dhe reaguese. Kemi zgjedhur të trajtojmë procesin e projektimit, si treguesi më i mirë për të pasqyruar qasjen ndaj problemit, krijimtarinë, metodologjinë si dhe mendimin apo frymën e kohës. Pikërisht, nëpërmjet projekteve, ne mund të kuptojmë reagimin e projektuesit brenda kontekstit, duke vlerësuar idetë dhe propozimet në përmbajtjen e tyre. Në këtë ekspozitë paraqiten projektet më të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë më së miri përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese.
Ndër projektuesit kryesorë të ndërtimeve spitalore në periudhën 1945 – 1990, veçohen Skënder Luarasi, Mërgim Çano, Fredi Sallavaci, Faik Alimehmeti, Agim Myftiu, Adem Stërmasi etj. Janë pikërisht këta arkitektë që projektuan spitalet kryesore të cilat vazhdojnë ende sot të jenë infrastruktura bazë e sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Fragmentet nga arkitektura e spitaleve të paraqitura në këtë ekspozitë, janë pjesë e një mozaiku më të gjerë arkitektonik, social, kulturor dhe politik. Nëpërmjet dokumentimit dhe njohjes së copëzave të këtij mozaiku, synohet të plotësohet gradualisht tabloja e një realiteti të mjegulluar, herë nga harresa dhe herë nga refuzimi i një të kaluare mbi të cilën mbështeten dhe zhvillohen strukturat e sotme urbane. Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.
Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga:
Gjergj Islami, Gjergj Thomai, Marsida Tuxhari
dhe
Albano Guma, Ana Pekmezi, Bruno Rama, Dardan Vukaj, Eris Lila, Rahel Belegu, Suada Muraku
Me mbështetjen e:
Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Galeria Kombëtare e Arteve
Njoftim për vendet e lira për personelin akademik të ftuar në programet që mbulon Departamenti i Arkitekturës për vitin akademik 2015-16.
Bazuar në shkresën Nr. 56 Datë 09.09.2015 “Për miratimin e procedurës së punësimit të personelit akademik të ftuar” vendet e lira për personelin akademik të ftuar në programet që mbulon Departamenti i Arkitekturës për vitin akademik 2015-16 janë si më poshtë:
Bazat e Grafikes + Modelimit – 2 pedagoge
Bazat e Vizatimit (Projektimit) – 5 pedagoge
Gjeometri Deskriptive 1,2 – 1 pedagog
Histori Arkitekture 1 – 2 pedagoge
Element ndërtesash – 2 pedagoge
Bazat e (Vizatimit) Projektimit – 2 pedagoge
Histori Arkitekture 3 – 2 pedagoge
Kompozim Analize Forme/Hapësire – 2 pedagoge
Studio Arkitekture 1 – 6 pedagoge
Studio Arkitekture 2 – 5 pedagoge
Teknologji Arkitekture 3 – 1 pedagog
Studio Arkitekture 3 – 5 pedagoge
Studio Arkitekture 4 – 4 pedagoge
Teori Arkitekture/Urbanistike – 1 pedagog
Fizike Ambientale – 1 pedagog
Projektim Ambiental – 3 pedagoge
CAAD-Vizualizim Grafik 2 – 1 pedagog
Studio Arkitekture 5 – 3 pedagoge
Studio Arkitekture 6 – 3 pedagoge
Grafike Inxhinierike dhe Projektim Arkitektonik (MP) – 1 pedagog
Një marrëveshje bashkëpunimi u firmos më 11 Shtator 2015 mes Fakultetit të Arkitekturës në Ondokuz Mayıs University dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbnaistikës në Universitetin Politeknik të Tiranës. Marrëveshja u firmos nga dekanët Prof. Derya Oktay dhe Prof. Andrea Maliqari dhe do të mundësojë shkëmbimin akademik mes dy shkollave. Gjithashtu rektorët e dy institucioneve firmosën një Marrëveshje Bilaterale Erasmus +. Kjo marrëveshje do të mundësojë mobilitetin për mësimdhënie dhe trainim dhe do të mbështesë zhvillimin e marrëdhënieve mes dy universiteteve dhe dy Fakulteteve të Arkitekturës në veçanti.
Pas vizitës së kortezisë në zurën e Rektorit të OMU Prof. Hüseyin Akan, Rektori Prof. Jorgaq Kaçani, Kancelari Besmir Ali, Dekani Prof. Andrea Mallqari and Zv. Dekani Gjergji Islami kryen një vizitë në zyrën e Dekanes së Fakultetit të Arkitekturës Prof. Derya Oktay. Gjatë ceremonisë ishin të pranishëm edhe anëtarët e stafit akademik Dr. Erhan Pancar, Cem Ayık dhe Nihan Ulusan.
Lista e fituesve dhe udhëzimi për regjistrimin e kandidatëve të shpallur fitues në universitetet publike për vitin akademik 2015 – 2016 / Raundi i Parë.
Lista e fituesve dhe udhëzimi për regjistrimin e kandidatëve të shpallur fitues në universitetet publike për vitin akademik 2015 – 2016 / Raundi i Parë, Faza e dytë.