When:
08 Nov 2016 @ 18:00 – 10 Nov 2016 @ 20:00
2016-11-08T18:00:00+01:00
2016-11-10T20:00:00+01:00
Where:
Qendra Rinore Tiranë
Rruga e Kavajës
Tiranë
Shqipëria
Cost:
Free
Contact:
Gjergji Islami

STACIONE

një udhëtim arkitektonik

 

posterKjo ekspozitë, është një tentativë për të kthyer vëmendjen në një kapitull të pashkruar të historisë së arkitekturës shqiptare; në trashëgiminë e realizmit socialist. Duke hedhur vështrimin në një periudhë me aktivitet ndërtimor intensiv dhe duke vlerësuar të thyer tabunë e përballjes me historikun e zhvillimit të vendit gjatë komunizmit, synohet të evidentohen vlerat arkitektonike e ndërtimore të periudhës 1945 – 1990.

Ekspozita fokusohet në studimin e ndërtesave në shërbim të transportit në Shqipëri, si një tipologji arkitektonike, evoluimi i së cilës nuk është trajtuar më parë. Në këtë kategori përfshihen të gjitha llojet e transportit, duke filluar nga ai automobilistik, hekurudhor, detar e deri tek ai ajror. Këtyre ndërtesave u jemi referuar me termin ‘stacione’, ku, në aspektin arkitektonik, më të hasurat dhe më domethënëset janë stacionet hekurudhore që shpeshherë shërbenin edhe si stacione për autobusët ndërqytetës.

Nisma është vijim i një projekti kërkimor që po zhvillon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) në bashkëpunim me Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (MZHU). Njohja, dokumentimi, evidentimi, dhe studimi i veprave arkitektonike, urbane dhe ndërtimore të realizuara gjatë regjimit totalitar, janë objektivat kryesorë të projektit që ka filluar në vitin 2014. Ky kërkim, është një studim tipologjik i arkitekturës dhe mbështetet mbi traditën e shkollës shqiptare, e cila, ende sot, formimin e bazon në eksplorimin e tipologjive ndërtimore dhe funksionale. Pas dy ekspozitave të mëparshme (‘Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton’, Prill 2015 dhe ‘Ndërtesa të bardha – Arkitektura e spitaleve’ 1945-1990, Dhjetor 2015), këtë radhë, vështrimi ndalet tek arkitektura e stacioneve.

Megjithëse të projektuara në kushtet e shtrëngesave ideologjike, programatike e financiare, projektet e evidentuara në këtë ekspozitë paraqiten shpesh herë surprizuese. Kemi zgjedhur të trajtojmë procesin e projektimit, si çelësi kryesor që dekodifikon periudhën e kontekstin  ku menduan, projektuan e ndërtuan arkitektët e urbanistët shqiptarë. Në këtë ekspozitë paraqiten projekte të spikatura në krijimtari dhe kërkim arkitektonik, të cilat përfaqësojnë përpjekjet për një arkitekturë të lirë dhe komunikuese. Ndër projektuesit kryesorë të stacioneve, veçohen Agim Shehu, Anton Lufi, Arben Meksi, Koço Çomi, Koço Miho, Mimoza Kroi etj.

Qëllimi i zbardhjes së rasteve më të spikatur të projekteve arkitektonike mbetet vënia në dorë të studiuesve të një mjeti domethënës, për të lexuar kohën e kontekstin e për të ravijëzuar linjat e zhvillimit të mendimit e arkitekturës. Përveç të kuptuarit të së shkuarës, kjo ekspozitë mbi stacionet kontribuon në debatin aktual mbi rolin e transportit publik. Zhvillimi i qëndrueshëm i territorit të vendit dhe integrimi ekonomik në nivel rajonal e evropian, mbeten të lidhur ngushtë me rijetësimin e transportit në përgjithësi dhe atij hekurudhor në veçanti. Ndërkohë, stacionet janë një aset i harruar i trashëgimisë materiale dhe historike të strukturave ndërtimore në qytetet tona. Përmes njohjes, studimit dhe vlerësimit të këtyre ndërtesave, synohet të nxitet vëmendja për ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike që ato mbartin. Në këtë kontekst, qëndrimi ndaj ndërtesave të stacioneve përkthehet në ridimensionim të dialogut të tyre me qytetin bashkëkohor.

Fragmentet nga arkitektura e stacioneve të paraqitura në këtë ekspozitë, janë pjesë e një mozaiku më të gjerë arkitektonik, social, kulturor dhe politik. Nëpërmjet dokumentimit dhe njohjes së copëzave të këtij mozaiku, synohet të plotësohet gradualisht tabloja e një realiteti të mjegulluar, herë nga harresa dhe herë nga refuzimi i një të kaluare mbi të cilën mbështeten dhe zhvillohen strukturat e sotme urbane. Vështrimi tipologjik i arkitekturës shqiptare, në periudhën 1945 – 1990, vjen si nismë për të njohur vetveten përmes arkitekturës dhe për të hedhur dritë mbi trashëgiminë e një periudhe me shumë hije.

Ky projekt u përgatit dhe u kurua nga:

Denada Veizaj, Gjergj Islami, Gjergj Thomai dhe

Alban Hidri, Ana Pekmezi, Besard Basha, Idlir Sema, Rabina Ajdini

Me mbështetjen e:

Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Ministria e Zhvillimit Urban, Arkivi Qëndror Teknik i Ndërtimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Qendra Rinore Tiranë

Datat dhe oraret:

Celja: 08.11.16 ora 18.00

Qendra Rinore Tiranë, Rruga e Kavajës

fb_event_button-1