Ermir Gjoka
Tema e disertacionit:
“NORMATIVAT BAZË TË PROCESIT PROJEKTUES.
Aplikimi i Tyre në Realizimin e Eko-Lagjeve në Shqipëri me anë të Metodologjisë ZMEO”
Udhëheqës: Prof. Dr. Andrea Maliqari, Prof. Adriana Miri
Në 25 vitet e fundit, në Shqipëri, industria e ndërtimit është kthyer në një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë së vendit. Përveç numrit të lartë të ndërtimeve të rregullta, ndërtimet pa leje kanë qenë një tipar dallues i peizazhit urban, duke e klasifikuar kështu territorin shqiptar si një nga më të dëmtuarit në Evropë. Moskujdesi ndaj temave mjedisore si dhe normativat e standardet e vjetruara të ndërtimit çuan në paaftësinë e organeve përkatëse në parandalimin e shumë faktorëve negativë. Të dhënat janë të qarta, por në Shqipëri ende nuk ekzistojnë strategji politike dhe metodologji projektimi në lidhje me këtë problematikë.
Rëndësia e kësaj teze konsiston në projektimin e lagjeve të qëndrueshme me anë të metodologjive të avancuara të cilat bazohen te Normativat Evropiane të Ndërtimit; ato janë një mundësi e madhe për Shqipërinë pasi hapin skenarë kërkimi dhe inovacioni të rëndësishëm që në sektorin e ndërtimit ofrojnë oportunitete të mëdha. Marrja në shqyrtim e shembujve më të përparuar të eksperimentuar në Evropë përbën një kontribut që duhet vlerësuar.
Përmbajtja e disertacionit është paraqitur në formën e një materiali të shkruar (110 faqe) ku përfshihen përmbajtja, pesë kapituj, bibliografia, sitografia, shkurtime-ankorime, imazhe, tabela dhe grafikë.
Kapitulli i I-rë, identifikon problemin në shkallë botërore duke nënvizuar pikat kyçe që përcaktojnë atë. Më tej, pasqyrohet realiteti Shqiptar duke përshkruar problematikat e ndryshme të sektorit të ndërtimit duke filluar nga projektuesi deri tek mangësitë në nivel legjislativ, që nga vitet ’90 deri në ditët e sotme.
Kapitulli i II-të, jep një panoramë shumë të qartë në nivel Ndërkombëtar të Bazës Ligjore, Standarteve dhe Normativave të fushës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, ku dhe bazohet ky studim shkencor. Më tej disertacioni përshkruan një strukturë llogjike të principeve dhe rolit të rëndesishëm që ka arkitektura në komunitet, rekomandon cilat janë burimet energjetike të ripërtëritshme që duhet të përdorim dhe në fund na rekomandon se cilat janë nismat për t’u ndërmarrë në këtë fushë.
Kapitulli i III-të shpjegon qartë dhe në mënyrë konstruktive se cilat janë Kriteret dhe Strategjitë e Vlerësimit të Zhvillimit të Qëndrueshëm sipas shumë studimeve shkencore botërore duke i ilustruar edhe me shembuj konkretë. Më tej, shpjegohet se përse është përzgjedhur metodologjia e aplikuar në studim, dhe në fund përshkruhet filozofia e “Metodologjise Zmeo” në realiziomin e “Lagjeve të Qëndrueshme”.
Kapitulli IV-t përshkruan dhe analizon zonën ku është aplikuar ky studim shkencor. Zona e konsideruar është një nga hapësirat më me perspektivë për zhvillimin e qytetit të Tiranës, ndaj, ka qenë edhe burim studimesh nga studio ndërkombëtare me rezultate mjaft shpresëdhënëse. Aplikimi i Metodologjisë Zmeo në projektet e propozuara për Lagjet e Qëndrueshme në Tiranë është një risi në fushën e projektimit arkitektonik. Kjo metodologji është inovative dhe ofron rezultate inkurajuese pasi bazohet në Sistemin Evropian të Normativave të Avancuara të Projektimit të Qëndrueshëm.
Pas kapitujve të mësipërm, vijon përmbledhja dhe përfundimet ku theksohet se: Zhvillimi i Qëndrueshëm është një objektiv parësor që shërben si pikë referimi për të gjitha fushat politike dhe aplikimet përkatëse; Marrja në konsideratë e Standardeve Evropiane në fushën e ndërtimit ka një rëndësi parësore dhe emergjente pasi kontribuon në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por mbi të gjitha, në rritjen e mirëqenies së brezave aktualë dhe gjeneratave të ardhshme; Përdorimi i Metodologjisë Zmeo sipas këtij studimi pasqyron rezultate të suksesshme në projektimin, kontrollin dhe menaxhimin e projektit “Lagje të Qëndrueshme për qytetin e Tiranës”; Kërkimi i një perfeksionizimi të vazhdueshëm të kritereve mjedisore, social-kulturore dhe ekonomike është pjesë e suksesit të kësaj metodologjie.