
Etleva Bushati
Tema e disertacionit:
“KUSHTET MIKROKLIMATIKE TЁ GODINAVE TЁ MUZEVE NЁ SHQIPЁRI. INFLUENCA E PARAMETRAVE TERMO-HIGROMETRIK NЁ KONSERVIMIN E VEPRAVE TЁ ARTIT PREJ DRURI (RASTE TË STUDIUARA)”
Udhëheqës: Prof. Dr. Frederik STAMATI
Tema e trajtuar ka shtruar për diskutim njё detyrë komplekse dhe specifike nё lidhje me jetёgjatёsinё e konservimin e artefakteve, dhe pikёrisht pёr objektet e trashёgimisё kulturore dhe historike tё ekspozuara apo ruajtura nё muze, pёr tё cilat mund gjykohet se kanё njё jetё tё sigurt në sajë të kushteve optimale të ruajtjes parandaluese. Por siç studimi e trajton problemin si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik nuk rezulton gjithmonë kështu. Jetëgjatësia dhe ekzistenca e koleksioneve kushtëzohet nga disa faktorë risku ndër të cilët parametrat termohigrometrik të klimës së brendshme të realizuara nga ndërtesa e muzeut dhe sistemet e kontrollit të klimës janë të një rëndësie të veçantë. Në këtë kontekst përzgjedhja e temës është plotësisht e justifikuar dhe plotëson më së miri nevojën për studime të tilla edhe në Shqipëri.
Kompleksiteti që paraqet studimi i kushteve klimatike në të cilin interferojnë shumë faktorë ka kërkuar një punë studimore shumëplanëshe. Studimi e trajton problemin duke u nisur nga ndërtesa, roli i saj në klimën e muzeut dhe si këto ndikojnë te artefaktet. Kjo ndërthurje përshkon të gjithë studimin, i cili është origjinal dhe trajton problemet në mënyrë shkencore.
Duke njohur situatën e muzeve shqiptare një studim i tillë do është me vlerë për të kthyer vëmendjen e humbur ndaj kësaj tipologjie si dhe për të sensibilizuar aktorët dhe institucionet e trashëgimisë kulturore për nevojën e përmirësimit te kushteve te ruajtjes te trashёgimisё kulturore dhe historike tё ekspozuara apo ruajtura nё to.
Tema është zhvilluar në tetë kapituj të cilët trajtojnë çështjet në një vazhdimësi të logjikshme dhe konseguente. Kapitulli i parë jep një përshkrim tё pёrgjithshёm tё problemit, ngre pyetjet dhe hipotezat si dhe shpjegon qëllimin, objektivat, kufizimit dhe rëndësinë e këtij studimi. Bazuar në një bibliografi dhe dokumentim grafik të pasur, analizohet tipologjia dhe evoluimi i mjedisit tё brendshёm tё muzeut nё aspektin e parametrave termohigrometrik dhe si këto faktorë kanë ndikuar në zgjidhjet planimetrike dhe volumore të tipologjisë. Kjo analizë në mënyrë të logjikshme shkon drejt prezantimit të standardeve mjedisore në muze.
Ajo që vijon, kapitulli i tretë, janë aspektet teorike të studimit, të cilat lidhen me konceptet fizike të klimës së brendshme dhe raportet midis tyre, parimet e degradimit të objekteve të trashëgimisë (ato prej druri) nën ndikimin e parametrave termohigrometrik. Këta dy kapituj tregojnë se muzeu që ne njohim sot është një koncept historik, dinamizmi i të cilit përcaktohet nga një grup faktorësh. Trajtimi i këtyre kapitujve përmbyll bazën teorike të studimit.
Nëpërmjet një metodologjie të qartë dhe të saktë, e trajtuar në një kapitull më vete (kapitulli katërt) përcaktohen teknikat, mjetet dhe pajisjet e përdorura për të monitoruar dhe analizuar rastet e studiuara, të cilët janë përzgjedhur pas një studimi të tipologjisë së muzeut në Shqipëri. Vështrimi historik dhe evidentimi i tipave dhe nëntipave të tipologjisë është trajtuar në kapitullin e pestë, i cili bazohet në dokumente të pasura arkivore, ilustrime grafike si dhe paraqet në mënyrë origjinale rrugëtimin e tij historik deri në ditët e sotme.
Në kapitullin e gjashtë analizohet klima e muzeut shqiptar, mënyrat e kontrollit klimatik dhe si paraqitet situata klimatike sot në muzetë shqiptare. Ndërsa në kapitullin e shtatë jepen matjet e temperaturës dhe lagёshtisё relative tё kryera nga autorja nё tre muzetë e përzgjedhura në studim. Në secilin nga tre rastet e studiuara bëhet njё analizë e ndёrtesёs nё aspektin arkitektonik dhe teknologjik, paraqiten ndërhyrjet restauruese dhe tё mirëmbajtjes tё kryera nё kёto ndёrtesa dhe pastaj interpretohen nё mёnyrё tё logjikshme rezultatet e matjeve.
Pavarësisht se në përfundim të disa prej kapitujve jepen konkluzione specifike, ato përmblidhen pastaj bashkë me rekomandimet, në një kapitull të veçantë, i cili përmbyll edhe vetë studimin. Gjetjet dhe rekomandimet, nga njëra anë, synojnë ne propozime konkrete për të ndryshuar gjendjen aktuale të muzeve shqiptare ku ekspozohen dhe ruhen objektet e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore. Ndërsa, nga ana tjetër, ato synojnë të tërheqin vëmendjen e inxhinierëve, arkitektëve, restauruesve, muzeologëve dhe institucioneve përgjegjëse për kushtet e brendshme klimatike që duhet të gëzojnë godinat e muzeve ekzistues e të atyre që do të ripërshtaten apo projektohen rishtazi në të ardhmen.