Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës është njësia kryesore më e re e Universitetit Politeknik të Tiranës, e cila është ngritur mbi traditën shumëvjeçare të formimit të specialistëve arkitektë dhe urbanistë. Kjo njësi, pas shkëputjes nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, ka marrë tashmë statusin e një fakulteti duke përfaqësuar më së miri eksperiencën e çmuar që ka Universiteti Politeknik i Tiranës në formimin e brezave të profesionistëve më të mirë në vend. Misioni publik i kësaj njësie është një histori suksesi dhe mbështetet në besimin dhe reputacionin e krijuar ndër vite si njësia më e madhe dhe më me eksperiencë në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës.
Veprat dhe studimet më të rëndësishme arkitektonike e urbane në vend janë ideuar e realizuar nga specialistët e diplomuar pranë FAU.
Vizioni
Vizioni i FAU është që të ofrojë standarde lider në edukimin e projektuesve të rinj në fushat e arkitekturës dhe urbanistikës, me programe të akredituara si brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet shfrytëzimit të kapaciteteve dhe përvojës së tij shumëvjeçare, për të orientuar studentët në fitimin e njohurive dhe të aftësive të nevojshme për një karrierë kreative dhe të suksesshme.
Misioni
Misioni i FAU është të zhvillojë një kurrikulum në përputhje të plotë me standardet Evropiane dhe Kartën e Bolonjës, për të ofruar një edukim ndërdisiplinor në degën e Arkitekturës dhe Urbanistikës për komunitetin e studentëve të të gjitha trevave shqiptare, për të edukuar dhe mësuar arkitektët dhe projektuesit e ardhshëm si profesionistë novatorë, krijues, të ndjeshëm ndaj kulturës dhe të përgjegjshëm ndaj ambientit me aftësi të larta mendimi dhe me njohuri bashkëkohore të teknologjive, që të mund të ndajnë dhe të aplikojnë njohuritë ndërmjet tyre dhe me disiplina të tjera, si dhe të jenë të hapur ndaj mundësive të reja të bashkëpunimit në procesin e mësimit dhe të praktikës profesionale.
Misioni i FAU bazohet në kultivimin e dijes dhe percjelljen e saj nëpërmjet veprimtarisë kërkimore e shkencore. Ky është një mision publik dhe synon edukimin e brezave të rinj të arkitektëve dhe urbanistëve me orientim shkencor dhe me etikë të lartë profesionale dhe qytetare.
Objektivat
- Të mundësojë formimin e vazhduar në të tre nivelet e edukimit, të formojë specialistë të lartë e të përgatisë shkencëtarë të rinj në fushat e arkitekturës dhe të urbanizmit
- Të mundësojë thellimin e njohurive të fituara në studimet e programit të integruar pesëvjeçar dhe studimet pasuniversitare të Doktoraturës me anë të programeve të specializuara.
- Të mundësojë zhvillimin e vlerave të respektit reciprok, bashkëpunimit dhe komunikimit, krijimtarisë dhe inovacionit, shërbimit të komunitetit dhe lidershipit, arritjes së vlerave, përgjegjësive ndaj komunitetit.
- Të kontribuojë në rritjen e standardeve të jetesës dhe të zhvillimit urban dhe të përgatisë të rinjtë për sfidat e reja të zhvillimit të vendit dhe të shoqërisë.