Tradita që mbart sot Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës daton që me fillimet e studimeve universitare në Shqipëri. Me më shumë se gjysëm shekulli histori FAU vazhdon të jetë lider i edukimit dhe kerkimit në Arkitekturë dhe Urbanistikë. Ky rrugëtim perbën sot edhe pikën më të forte të kësaj njësie mbi të cilën është ndertuar reputacioni dhe është fituar besueshmëria.
Në vitin 1951 u krijua Instituti Politeknik i Tiranës. Kjo datë shënon edhe fillimet e Arsimit të Lartë në Shqipëri. Në atë kohë, në strukturën e Institutit të Lartë Politeknik bënin pjesë tri drejtime: Ndërtim, Mekanik dhe Elektrik. Në vitin 1957, Instituti Politeknik shndërrohet në Universitetin e Tiranës. Pranë këtij universiteti u strukturua Fakulteti i Inxhinierisë në përbërje të të cilit ishte edhe Dega Ndërtim. Fillimisht, studentët formoheshin në këtë degë si Inxhinierë, e më vonë me titullin Inxhinier – Arkitekt. Për herë të parë në vitin 1969 filluan studimet për Arkitekturë, që në vitin e parë. 24 studentët e parë u pranuan pasi kaluan një konkurs pranimi. Ky ishte brezi i parë me titullin Arkitekt që u diplomua në vitin 1974. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit u krijua ne vitin 1983 në kuadrin e Universitetit të Tiranës. Dega Arkitekturë u bë pjesë e këtij fakulteti. Më pas, në vitin 1984, Katedra e Urbanistikës u nda nga ajo e Arkitekturës. Në vitin 1993 u krijua Departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ishte funksional deri në fillim të vitit 2013.
Në Janar të vitit 2013, me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 28, datë 31.01.2013 u krijua Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili mbart mbi vete traditën dhe përvojen dhjetravjeçare të Universitetit Politeknik të Tiranës në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës. Sot ky fakultet ofron një paketë të plotë akademike me studime në të treja ciklet.
Për herë të parë në vitin 2009 u miratuan Studimet e Doktoraturës në Arkitekturë dhe Urbanistikë me VKM Nr. 1116, dt. 13.11.2009. Ky nivel studimi u ofrua për herë të parë në Shqipëri nga FAU.
Në vitin 2016 u miratuan dy programe të reja studimi; Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn si dhe Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture.
Në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, ndër vite kanë kontribuar emra të rëndësishëm të arkitekturës shqiptare si Besim Daja, Enver Faja, Ilia Papanikolla, Tamara Eftimi, Agim Myftiu, Miriam Bubsi etj.