Java e gjelbër në FAU përfshiu një seri aktivitetetesh të fokusuara mbi marrëdhënien mes individit dhe mjedisit me qëllim nxitjen dhe promovimin e kulturës ambientale. Aktivitetet përfshinë workshope për ideimin dhe realizimin e filmave të gjelbër si dhe realizimin e strukturave dhe objekteve utilitare me materiale të ricikluara.
Rezultati i aktiviteteve u paraqit në Panairin ‘Energjia Sfida e së Ardhmes’, zhvilluar në 7-9 Nëntor në Tirana Expo Center. Në këtë panair FAU ndërtoi pavionin ‘Dhoma e Ndenjes’.


Qëllimi i këtij pavioni është ndërgjegjësimi mbi çështjet e energjisë dhe mjedisit duke vendosur në qendër të vëmendjes individin si faktorin dhe aktorin thelbësor në sfidën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Pavioni është konceptuar si një dhomë ndenje e projektuar dhe e ndërtuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) me materiale të ripërdorura. Objekte të përdorimit të përditshëm shndërrohen në mënyrë kreative në module hapesirë-formuese duke evidentuar potencialin e përdorimeve alternative dhe jo-konvencionale të tyre. Ripërdorimi i materialeve është një kulturë që ka ndikim të drejtperdrejtë në reduktimin e mbetjeve, të energjisë për prodhimin e materialeve të reja si dhe kujdesin ndaj burimeve. Përbërësit e pavionit janë:
– Struktura e dhomës është ndërtuar me mbi 2000 module me karton ambalazhi, i cili në vetvete është një material i ricikluar. Këto module janë bashkuar me njëri-tjetrin duke krijuar elemente të qëndrueshëm dhe duke kompozuar një konfigurim gjeometrik.
– Ndriçuesi është krijuar duke shfrytëzuar gotat plastike si material bazë. Koncepti i zgjedhur në këtë rast është ‘Out of Scale’, duke ekzagjeruar përmasat e elementit me qëllim përqëndrimin e vëmendjes tek problematika kryesore që pavioni do të ngrejë: ENERGJIA.
– Filmat e shkurtër që projektohen në dyshemenë e pavionit janë konceptuar dhe realizuar nga studentët dhe kanë për qëllim ndërgjegjësimin e shikuesve për çështjet e ambientit dhe energjisë.
– Karriget dhe qilimat janë realizuar duke ripërdorur material të jetës së përditshme si kartonat e ambalazhit dhe veshjet e vjetra. Nëpërmjet dizajnit si mjet komunikimi synohet nxitja për përdorim kreativ i materialeve të jetës së përditshme.