Thirrje për aplikim në Programin e Ciklit të Dytë të Studimieve, Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture, në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, të Universitetit Politeknik të Tiranës
Programi i Ciklit të Dytë të Studimeve, Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture, organizuar dhe zhvilluar nga Departamenti i Restaurimit dhe Teknologjisë së Arkitekturës, të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës, ka si fokus kryesor, formimin e profesionistëve, të aftë për të përcaktuar gjendjen e ruajtjes së monumenteve historike dhe për të zbatuar një sërë veprimesh komplekse, direkte apo indirekte, për të parandaluar, apo kufizuar proceset e degradimit të materialeve dhe strukturave ndërtimore në monumentet e trashëgimisë, me qëllimin final, për të siguruar ruajtjen dhe konservimin e tërësisë së vlerave historike-kulturore të tyre. Për të arritur objektivat e Programit të Studimit, krahas studimit frontal të koncepteve teorike, në nivel shkencor, një vëmendje e veçantë i kushtohet, edhe veprimtarive praktike në laboratore dhe në kantieret e restaurimit, duke shfrytezuar të gjitha metodat dhe mjetet më innovative që ofron teknologjia bashkëkohore.
Profesionistët më të shquar të fushës, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. Dr. Neritan Ceka, si pjesë e stafit akademik dhe të ftuarit e nderit, për zhvillimin e leksioneve të hapura, Akademik Emin Riza, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Gjerak Karaiskaj, me aftësitë, ndjeshmërinë, përgatitjen dhe kontributin e tyre të veçantë e mjaft aktiv, kanë dhënë një ndihmesë tepër të vyer, për transmetimin e dijeve dhe eksperiencave më të mira, prej disa dekadash, në trajtimin e monumenteve të trashëgimisë së ndërtuar, në realitetin shqiptar.
Aplikimi i teknologjive më të reja, bashkëkohore, në fushën e tashëgimisë historike e kulturore, që ndihmojnë për t’i dhënë përgjigjje, çështjeve të hershme, por ende të pazgjidhura, si një pjesë mjaft e rëndësishme e Kurrikulës së Programit të Studimit, është realizuar me mbështetjen dhe bashkëpunimin e profesionistëve të Universiteteve Italiane.
Programi i Ciklit të Dytë të Studimeve, Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture, me një ecuri të konsoliduar vit pas viti, po tërheq gjithmonë e më shumë, personalitete, organizma dhe organizata të rëndësishme që operojnë në fushën e konservimit, restaurimit dhe rijetëzimit të trashëgimisë historike dhe kulturore, duke dëshmuar qartazi, për një nivel mjaft cilësor, shumëplanësh, për përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes.