DSC00583
Në dt. 28.12.2015, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës dhe Entit Kombëtar të Banesave. Nismat e përbashkëta të ndërmarra gjatë këtij vitit nga EKB me mbështetjen e përfaqësuesve të FAU, janë konkretizuar në prag të fundvitit me nënshkrimin e një marëveshjeje, që ka në fokus një temë të ndjeshme: Strehimin.

“Për vitin 2016 ne kemi planifikuar disa projekte e aktivitete, për të cilat do të jetë e nevojshme mbështetja akademike, në interes dypalësh të integrimit dhe ndërtimit të marëdhënieve të bashkëpunimit”, është shprehur në fjalën e saj përshëndetëse Drejtoresha e Përgjithshme e EKB-së, Znj.Doris Andoni. Nga ana e tij Z.Andrea Maliqari, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, ka falenderuar Entin për përkrahjen e vazhdueshme, duke e vlerësuar marëveshjen si një hap në kurorëzimin e projekteve të realizuara bashkarisht. “Ju falenderoj për përkrahjen dhe është kënaqësi që kemi arritur deri më sot me vullnetin e mire të bashkëpunimit ta zyrtarizojmë e konkretizojmë me nënshkrimin e kësaj marëveshje”, ka thënë Z.Maliqari.

Aktiviteti i pare për vitin 2016 do të jetë organizimi, bashkëpunimi me UNDP-në, i një workshop mbi standardet, normat dhe rregulloret e ndërtimit, analizimi i boshllëqeve dhe evidentimi i masave e hapave që duhen ndermarrë dhe aktorëve që duhen angazhuar.

“Këto janë fusha që ne i trajtojmë në fakultet me studentët e doktoraturës, lidhja e të cilave me aktivitetin e Entit do të sjellë risi dhe benefite, jo vetëm në aspektin akademik të studimeve, por edhe në lidhjen e punës së studentëve me praktikën. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe të zgjerohet edhe me hapa më të mëdha”, ka përfunduar fjalën e tij Z.Andrea Maliqari.

Ndërsa përfaqësuesit e dy institucioneve kanë nënshkruar marëveshjen dy palëshe, duke trokitur gotat për një vit sa më efiçient e të mbarë me sa më shumë risi positive.

Marrë nga www.ekb.gov.al