Të dashur Studentë,

Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e rëndë të krijuar nga epidemia e Covid 19 në vendin tonë dhe më gjerë, situatë që edhe mund të përshkallëzohet edhe më tej, shpresoj dhe uroj qe ju dhe të gjithë të dashurit tuaj, të gëzoni shëndet të plotë.

Siç jeni në dijeni, është pezulluar përkohësisht mësimi në FAU (si në të gjitha IAL-të në vend), deri në datën 03.04.2020, dhe sipas të gjitha gjasave, duke parë situatën aktuale do vazhdojë të jetë i pezulluar edhe përtej kësaj date.

Mbështetur në nenin 42 të ligjit nr. 80/2105, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë,” nenin 19 të Statutit të Universitetit Politeknik të Tiranës, pikën 4 të urdhrit nr. 156, datë 10.03.2020 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për marrjen e masave të veçanta në parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, në kërkesat dhe porositë e përcjella përmes e-mail-it nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe në urdhrin nr. 31, datë 23.03.2020, të Rektorit të Universitetit Politeknik “Mbi zhvillimin e procesit mësimor online në Universitetin Politeknik të Tiranës”, Dekanati i FAU, me Vendim nr. 19 prot. të datës 23.03.2020 vendosi:

Fillimin e procesit mësimor “online” në të gjitha programet e studimit që mbulon Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës si më poshtë:

·         Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Arkitekt 

·         Master Shkencor në Arkitekturë – Profili Urbanist 

·         Master Profesional në Restaurim Monumentesh Kulture

·         Bachelor në Arkitekturë Interieri dhe Dizajn

·         Programi i Doktoratës

Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim ka shqyrtuar si të mundshme përdorimin e platformave të Google Classroom dhe Zoom. Për shkak të specifikës së mësimdhënies në disa lëndë të programit mësimor si: Studio Projektimi, Kompozim, Bazat e Vizatimit, Dizajn, etj., po shikohet dhe mundësia e përdorimit dhe të platformave të tjera alternative.

Informacion më të plotë për platformat e mësimdhënies, si dhe për mënyrën e aksesit në to, do ta merrni në vazhdim në faqen zyrtare web të FAU www.fau.edu.al.

Informacion për datën e fillimit të mësimit, orarin e studimeve të semestrit të dytë, mënyrën se kur dhe si do të mbyllet sezoni i provimeve të dimrit 2020, do ta merrni në faqet zyrtare web të UPT www.upt.al dhe të FAU www.fau.edu.al.

Për cdo pyetje apo paqartësi që do të keni, në këtë periudhë aspak të zakonshme për të gjithë, ju lutem kontaktoni në adresën email-it: info@fau.edu.al.

Shpresojmë se së bashku do të ja dalim mbanë, deri në rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit.

Dekani

Prof. Dr. Florian Nepravishta