Tiranë, më 30.10.2023

NJOFTIM PUBLIK


Në datën 27.10.2023, gjatë transmetimit të një emisioni investigativ, janë konstatuar informacione të pasakta në lidhje me aplikimin e një kandidateje në Programin e Ciklit të Dytë të Studimit, Master Profesional RESTAURIM MONUMENTESH KULTURE (MPRMK), pranë FAU.
Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, UPT, sqaron opinionin publik se kriteret e pranimit të kandidatëve në Programin e Ciklit të Dytë të Studimit MPRMK për vitin akademik 2023- 2024 janë përcaktuar në Vendimin nr. 1 datë 25.01.2022.

Në bazë të këtyre kritereve:
1. Kandidatët, duhet të jenë diplomuar në Programet e Integruara të Studimit të Ciklit të Dytë, në Arkitekturë, ose në Programet e Studimit të Ciklit të Parë, dhe/ose të Ciklit të Dytë në Arkitekturë dhe Inxhinieri Ndërtimit (Inxhinier Ndërtimi).
2. Kandidatët, të cilët janë diplomuar jashtë vendit në programet e studimit të përmendura më sipër, duhet të kenë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për Arsimin e Lartë të shtetit Shqiptar.

Kandidatja, e cila i është drejtuar emisionit investigativ:
1. Është diplomuar në Arte Pamore (Grafikë) nga Akademia e Arteve të Bukura, në Firence, Itali më 17.03.2017. Komisioni i vlerësimit ka vendosur që kandidatja nuk plotëson kriteret 1 dhe 2, pasi formimi i saj është Arte Pamore, Grafikë bazuar kjo në vërtetimin e njohjes dhe njehsimit të diplomës nga QSHA.
2. Është lejuar të aplikojë në sekretarinë mësimore pas këmbënguljes së saj që shqyrtimi i dosjes të kryhej nga komisioni i vlerësimit. Sqarojmë që procesi i aplikimit është krejt i ndryshëm nga procesi i regjistrimit, i cili kryhet pasi kandidati shpallet fitues nga komisioni i vlerësimit.
3. Ka dorëzuar dokumentet e aplikimit me mangësi. Në dosjen e aplikimit mungon kopja e diplomës së njehsuar me origjinalin dhe suplementi i diplomës, dokumente këto të cilat kërkohen sipas Kreut IV/4, pika 8 dhe 9 të Udhëzimit të MAS nr.17 datë 30.7.2019.
Aplikantja ka dorëzuar vetëm fotokopje të njehsimeve të diplomës Bachelor me 184 kredite dhe fotokopje të njehsimeve të diplomës/dëftesës e shkollës së mesme me notë mesatare të të gjitha viteve 7.26.

Kandidati i dytë fitues i përmendur në emisionin investigativ, zotëron një diplomë Master i Shkencave në Arkitekturë nga Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike (Albanian Universityiv) në përputhje të plotë me kriteret e pranimit. (bashkëngjitur diploma e rastit në fjalë).

Gjejmë rastin të sqarojmë se programi i studimit Master Profesional RESTAURIM MONUMENTESH KULTURE (MPRMK) është thellësisht teknik, merret me restaurimin e objekteve ndërtimore e për rrjedhoje kërkon formim në programe politeknike. Ky program studimi është i ndryshëm nga programet e tjera të cilat lidhen me restaurim i artit pamor dhe ikonave.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Politeknik i Tiranës, beson në mirëkuptimin e këtij qëndrimi dhe e konsideron median si partnere të rëndësishme në funksion të transparencës dhe të rritjes së besimit të publikut tek institucionet e arsimit të lartë.

DEKANATI