Programi i studimit të Doktoraturës pajis kandidatët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme në mënyrë që të mund të kryejnë punë kërkimore të kualifikuar në universitete, institucione publike dhe organizata private; duke zhvilluar më tej progresin shkencor dhe teknologjik dhe duke krijuar një klasë udhëheqëse me nivel të lartë profesional.
Qëllimi i studimeve të ciklit të tretë është të thellojë njohuritë bazë formuese të arkitekteve dhe urbanistëve, duke synuar përgatitjen teorike dhe shkencore.
Puna studimore në ciklin e tretë synon që studenti i doktoraturës në mënyrë individuale të hulumtojë dhe pasurojë sfondin teorik (state of the art) në një fushë specifike, duke thelluar përgatitjen shkencore për të lejuar zhvillimin e kapaciteteve dhe zgjerimin e njohurive në disiplinat e Arkitekturës dhe Urbanistikës të cilat janë në një evolim të vazhdueshëm.
Objektivi i punës kërkimore është që studenti të mund të formuloje hipoteza dhe ti eksplorojë ato duke përdorur një metodologji shkencore, si dhe të jetë i aftë të përfundojë punimin shkencor të tezës së doktoraturës, që i jep të drejtën për të kërkuar gradën “Doktor”, pasi ka zhvilluar kapacitetet laboratorike, ka thelluar njohuritë në temën specifike, si dhe ka prodhuar risi në një fushë të caktuar.
Në fund të kësaj periudhe, pas përmbushjes të të gjitha detyrimeve përkatëse, kandidatët duhet të mbrojnë dizertacion dhe më pas iu akordohet grada “Doktor”.