Parku i Artit | FAU UPT
Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës
Universiteti Politeknik i Tiranës

03 Apr 2015 - Parku i Artit

10011543_1609813359231167_5205896533327666269_o

Sot në mjediset e Ministrisë së Kulturës u zhvillua konkursi “Parku i Artit”, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin POLIS dhe Universitetin EPOKA. Kjo nismë e Ministrisë së Kulturës me universitetet e arkitekturës,  nisur që në muajin janar 2015, përfundoi sot me prezantimin e projekteve në këtë konkurs për përshtatjen e territorit të ish-Kinostudios në Kopshtin e Artit. “Jeni në Ministrinë tuaj dhe gjej rastin t’ju përgëzoj për punën dhe idetë tuaja të guximshme. Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi, që do të sjellë më shumë pjesëmarrje dhe projekte në të ardhmen”-uroi mirëseardhjen, Ministrja Kumbaro. Juria e përbërë nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, me cilësinë e kryetares dhe anëtarëve: Arta Dollani, IMK, Adelina Greca, AKPT, Artan Shabani, Drejtor i GKA dhe  Joli Mitrojorgji, arkitekte , shqyrtoi  katër projekte nga UPT, dy projekte nga POLIS dhe dy projekte nga EPOKA. Në një garë jo të lehtë, brenda vetë universiteteve, por edhe jashtë tyre, u vlerësuan tri projekte.

Çmimi i parë:  “KY PARK NUK ËSHTË NJË PARK” Projekt i Fakultetit të Arkitekturës dhe  Urbanistikës  në UPT, realizuar nga sudentët: Anisa Pere, Arbër Habilaj, Erli Pinari, Genti Shtëmbari, Gladiola Balliu, Malvina Ferra dhe Orest Dhimitri. Motivacioni: “Ky projekt  trajton konceptin landscape dhe respekton strukturat ekzistuese. Duke bërë një ndarje funksionale krijon hapësira që mund të përshtaten në bazë të funksioneve të ndryshme (Art, Film, Ekspozita). Në këtë mënyrë krijohet një fabrikë gjendjesh, ku aktorët kryesorë janë Artistët dhe publiku”.

Çmimi i dytë: CONNECTIVE LAYER Projekt i Universitetit POLIS, realizuar nga studentët: Argita Përpunja, Bora Stafa, Megi Ylli, Sadmira Malaj.

Çmimi i tretë: DEJAL-VU Projekt i Universitetit EPOKA, realizuar nga studentët: D.Duri, E. Ceka, E. Mërkuri, E.Selko, G.Kolukaj, I.Malltezi, M.Maloku, N. Cabrati, R.Tafa, R. Belba, R.Brecani, T.Maliqi.

Qëllimi i projekt-konkursit “Parku i Artit”  është krijimi i një hapësire ekspozimi të përkohshëm dhe të përhershëm për veprat e artistëve të rinj e më gjerë. Projektuesit prezantuar projekte duke ndërthurrur  frymën bashkëkohore të artit dhe formulimin e hapësirave gjatë procesit të projektimit. Ky projekt, realizohet nga Ministria e Kulturës, i bërë me dije që në muajin janar nga Ministrja Kumbaro, e cila është shprehur se “ Një nga platformat kulturore të MK-së, është kthimi i territoreve  të brendshme në një park për art dhe medium, për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet”.

Burimi: http://www.kultura.gov.al/

Shoqata e Arkitektëvetë Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban, si dhe shkollave të arkitekturës, organizon konkursin kombëtar:

“Arkitektët e rinj për zhvillim urban”

Kjo thirrje e hapur për konkurim me një fazë, u drejtohet të gjithë arkitektëve të rinj në moshën 21 deri 30 vjeç, që kanë një diplomë në Urbanistikë, Arkitekturë dhe disiplina të lidhura drejpërdrejt me to. Në rastin e grupeve, udhëheqësi i grupit duhet të ketë një diplomë. Pjesëtarët e tjerë të grupit mund të jenë studentë ose profesionistë nga fusha të ndryshme, brenda grupmoshave të cilësuara mësipër.
Tema e konkursit përfshin projektide dhe propozime inovative të çdo lloji, për promovimin e vlerave urbane dhe arkitektonike të qendrave të banuara në gjithë territorin e Shqipërisë, si dhe nxitjen e veprimtarive turistike.

Konkursi do të ketë gjashtë çmime:
Një ÇMIM I PARË 200 000 lekë
Dy ÇMIME TË DYTA 150 000 lekë për secilin
Tre ÇMIME TË TRETA 100 000 lekë për secilin

Konkursi përqendrohet në projekte dhe ide komplekse Urb-Arkitektonike në 3 tema kryesore:
I. Në fushën e studimeve urbane
II. Në fushën e projekteve të arkitekturës
III. Në fushën e turizmit

Një komision i përbashkët me pedagogë të shkollave të arkitekturës, Shoqatës së Arkitektëvë të Shqipërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të pranojë projektet e paraqituradhe do të bëjë vlerësimin e tyre. Me projektet e paraqitura do të organizohet një ekspozitë në Tiranë.
Çdo konkurrues do të dorëzojë dy formate portret 70×100 cm, një relacion të shkurtër A4 dhe një CD.

Kalendari:
• 10 shkurt 2015 – Shpallja e konkursit
• 10 – 25 shkurt – Pranimi i regjistrimit të konkurrentëve
• 10 mars 2015, deri në orën 16:00 – Dorëzimi i projekteve në sekretarinë e konkursit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban
• 10 – 14 Mars 2015 – Periudhë pune për organizimin e ekspozitës, ndërsa komisioni bën vlerësimin e projekteve fituese
• 16 mars 2015 – Ceremonia e hapjes së ekspozitës. Shpalljae projektevefituese
• 16 –31 mars 2015 – Ekspozita

Përbërja e komisionit vlerësues do të jetë si më poshtë:
– Një përfaqësues nga çdo shkollë arkitekture pjesëmarrës në konkurim (4 shkolla)
– Dy përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë
– Dy përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban
– Një jurist pa të drejtë vote

Komisioni mund t’u rekomandojë Njësive të Qeverisjes Vendore apo Agjencive financuese, një sërë projektesh të merituara, të mundshme për zbatim. Me projektet e pranuara do të botohet një album.

Informacion i detajuar mund të gjendet në linkun zyrtar:

http://www.turizmi.gov.al/al/newsroom/lajme/konkursi-arkitektet-e-rinj-per-zhvillimin-urban

Ceremonia e Diplomimit në FAU për vitin akademik 2013-2014 u zhvillua në datë 15.12.2014 në Sallën e Prezantimeve në Godinën B. Në shpërndarjen e 60 diplomave morën pjesë Rektori i UPT Akademik Jorgaq Kaçani, Dekani i FAU Prof. Andrea Maliqari, Dekani i FIN (Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit) Prof. Asoc. Gëzim Hasko si dhe Përgjegjësi i Departamentit të Arkitekturës në FAU Prof. Asoc. Florian Nepravishta.

Në fjalën përshëndetëse, Akademik Kaçani dhe Prof. Maliqari theksuan rolin dhe traditën e FAU në arritjet në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës në vend si dhe uruan studentët për një karrierë të suksesshme.

Një fjalë përshëndetëse u mbajt edhe nga MSc. Ardita Gusho e cila ishte studentja e diplomuar me rezultatet më të larta në ketë ceremoni.

Pas dhënies së diplomave, atmosfera u ngroh nga surprizat e përgatitura nga një grup studentësh. Ceremonia u mbyll me hedhjen tradicionale të kapeleve që u pasua nga prerja e tortës si dhe fotografi të shumta me kolegët, profesorët dhe familjarët e të diplomuarve.

10361510_370952189738373_3087984501356004703_n

22 Nov 2014 - Peter Wilson në FAU

P wilson
Ditën e Premte më dt. 21.11.14, i ftuar në auditoriumin e FAU ishte Z. Peter Wilson, Arkitekt me famë ndërkombëtare i studios Bolles + Wilson. Ai u prit fillimisht nga Dekani i FAU, Prof. Dr. Andrea Maliqari i cili i uroi mirëseardhjen Z. Wilson dhe e njohu me historikun e fakultetit si dhe objektivat e zhvillimit. Z. Wilson shprehu kënaqësinë e tij për vizitën si dhe u angazhua per një bashkëpunim në vijimësi me FAU.
Më pas, Z. Wilson mbajti për rreth 2 orë një leksion të hapur me temë “Small Buildings” dhe “Libraries” ku nëpërmjet krijimtarisë të Bolles + Wilson shpalosi qasjen e tij ndaj arkitekturës. Leksioni u ndoq me interes të madh nga studentë të FAU dhe të interesuar të tjerë. Në mbyllje të leksionit Z. Wilson ju përgjigj pyetjeve të të pranishmëve. Gjithashtu ai inkurajoi arkitektët e rinj që “të mos dorëzohen” duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë do të mund të jenë të suksesshëm.

Foto

Një protokoll bashkëpunimi u nënshkrua më 17 Nëntor 2014 me qëllimin për të forcuar lidhjet akademike mes Eastern Mediterranean University dhe Universitetit Politeknik të Tiranës. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës Akademik Jorgaq Kaçani, Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës Prof. Dr. Andrea Maliqari dhe Zv. Dekani Gjergji Islami firmosën marrëveshjen në zyrën e Rektorit të EMU Prof. Dr. Necdet Osam.

Gjatë vizitës, Prof. Dr. Osam shprehu kënaqësinë e tij për pritjen e përfaqësuesve të UPT në Eastern Mediteranean University. Rektori Kaçani përcolli përshtypjet e tij më të mira për standardet ndërkombëtare dhe cilësinë e lartë akademike të ofruar në EMU dhe theksoi se ndihet mjaft i nderuar që vendos një protokoll bashkëpunimi me këtë universitet. Pasi të dy rektorët firmosën protokollet e bashkëpunimit, një marrëveshje tjetër me qëllim forcimin e marrëdhënieve mes dy fakulteteve të arkitekturës u firmos nga Dekanja e Fakultetit të Arkitekturës në EMU Prof. Dr. Şebnem Hoşkara, Zv. Dekanja As. Prof. Dr. Özlem Olgaç Türker si dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT Prof. Dr. Andrea Maliqari dhe Zv. Dekani Gjergji Islami.

Protokollet e vendosura mes dy institucioneve do të mundësojnë ndarjen e informacionit dhe rezultateve të kërkimit shkencor si dhe shkëmbimin e studentëve dhe anëtarëve të stafit akademik. Pjesëmarrës në ceremoninë e firmosjes së bashkëpunimit për EMU ishin edhe Zv. Rektori për çështjet Akademike Prof. Dr. Ahmet Sözen, Zv. Rektori për Promocionin Prof. Dr. Hasan Amca dhe Zv. Rektorja për çështjet e Studentëve Prof. Dr. Hıfsiye Pulhan. Në fund të takimit palët shkëmbyen edhe dhuratat e përgatitura për këtë rast.

Burimi: www.emu.edu.tr

11 Nov 2014 - Java e gjelbër

Java e gjelbër në FAU përfshiu një seri aktivitetetesh të fokusuara mbi marrëdhënien mes individit dhe mjedisit me qëllim nxitjen dhe promovimin e kulturës ambientale. Aktivitetet përfshinë workshope për ideimin dhe realizimin e filmave të gjelbër si dhe realizimin e strukturave dhe objekteve utilitare me materiale të ricikluara.
Rezultati i aktiviteteve u paraqit në Panairin ‘Energjia Sfida e së Ardhmes’, zhvilluar në 7-9 Nëntor në Tirana Expo Center. Në këtë panair FAU ndërtoi pavionin ‘Dhoma e Ndenjes’.


Qëllimi i këtij pavioni është ndërgjegjësimi mbi çështjet e energjisë dhe mjedisit duke vendosur në qendër të vëmendjes individin si faktorin dhe aktorin thelbësor në sfidën e zhvillimit të qëndrueshëm.
Pavioni është konceptuar si një dhomë ndenje e projektuar dhe e ndërtuar nga studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës (UPT) me materiale të ripërdorura. Objekte të përdorimit të përditshëm shndërrohen në mënyrë kreative në module hapesirë-formuese duke evidentuar potencialin e përdorimeve alternative dhe jo-konvencionale të tyre. Ripërdorimi i materialeve është një kulturë që ka ndikim të drejtperdrejtë në reduktimin e mbetjeve, të energjisë për prodhimin e materialeve të reja si dhe kujdesin ndaj burimeve. Përbërësit e pavionit janë:
– Struktura e dhomës është ndërtuar me mbi 2000 module me karton ambalazhi, i cili në vetvete është një material i ricikluar. Këto module janë bashkuar me njëri-tjetrin duke krijuar elemente të qëndrueshëm dhe duke kompozuar një konfigurim gjeometrik.
– Ndriçuesi është krijuar duke shfrytëzuar gotat plastike si material bazë. Koncepti i zgjedhur në këtë rast është ‘Out of Scale’, duke ekzagjeruar përmasat e elementit me qëllim përqëndrimin e vëmendjes tek problematika kryesore që pavioni do të ngrejë: ENERGJIA.
– Filmat e shkurtër që projektohen në dyshemenë e pavionit janë konceptuar dhe realizuar nga studentët dhe kanë për qëllim ndërgjegjësimin e shikuesve për çështjet e ambientit dhe energjisë.
– Karriget dhe qilimat janë realizuar duke ripërdorur material të jetës së përditshme si kartonat e ambalazhit dhe veshjet e vjetra. Nëpërmjet dizajnit si mjet komunikimi synohet nxitja për përdorim kreativ i materialeve të jetës së përditshme.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës
Universiteti Politeknik i Tiranës
Rr. Muhamet Gjollesha, 54, Tiranë

tel/fax: +355.(0)4.2229045
info@fau.edu.al

Evolve Web Agency

Evolve Web Agency