UNDER PRESSURE – Facts of socialist architecture in Albania
Arkitektura e periudhës së komunizmit në Shqipëri vendoset për herë të parë nën fokusin e një audience ndërkombëtare, përmes ekspozitës “Under Pressure – Facts of socialist architecture in Albania”, e hapur në Venecia, Itali, prej 27 qershorit deri më 21 korrik 2017. Ekspozita është vazhdë e një pune kërkimore 3-vjeçare të Universitetit Politeknik të Tiranës që synon të hapë debatin rreth trysnisë dhe projektimit, ideologjisë dhe arkitekturës, në një nga realitetet me te izoluara komuniste në bote. Universiteti i Venecias, IUAV, ka mbështetur dhe mirëpritur ekspozitën, duke shfaqur interes e duke inkurajuar debatin mbi realitetin e panjohur të arkitekturës shqiptare.
Të pranishëm në ceremoninë e çeljes ishin Andrea Maliqari Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Alberto Ferlenga, Rektor i Universitetit të Venecias IUAV. Të dy rektorët e vlerësuan ekspozitën dhe e konsideruan atë si një hap përpara në forcimin e bashkëpunimit mes universiteteve përkatëse.
Ekspozita është një përpjekje për te portretizuar realitetin e Shqipërisë komuniste duke përdorur arkitekturën si mjet deshifrues. Ajo fton vizitorin të lexojë një rrëfim i cili nuk shfaqet as kronologjik dhe as i ndërtuar mbi fakte të renditura. Të zhvilluarit të një linje-narrativë, në thelb, do të ofronte një perspektivë personale të autorëve. Materiali i ekspozuar ka për qellim të neutralizojë çdo nivel të mundshëm para-interpretimi, duke e nxitur vizitorin në rrugëtimin e tij personal, në eksplorimin dhe perceptimin e një konteksti të panjohur.
Tema e përgjithshme e ekspozitës mbetet ilustrimi i formave të shumta të dialogut të vendosur mes arkitekturës dhe pushtetit, duke evidentuar një dikotomi, e cila pasqyrohet në procesin krijues të arkitektit. Duke kaluar në një nivel më kontekstual lind pyetja: Si u ndikua arkitektura në Shqipëri nga trysnia e kohës, e cila më së shumti modelohej nga propaganda dhe ideologjia komuniste? Përgjigjja vjen përmes një kolazhi episodesh që nxjerrin në dritë pjesëza realitetesh të deformuara, të përthyera apo të mbivendosura. Tetë etyde ilustrojnë mozaikun: Ideologjia dhe projektimi, Qasja dhe imazhi, Tipizimi, Parafabrikimi, Disidenca (?), Ateizmi, Forma Kombëtare dhe Arkitektura si mjet komunikimi.
Përmes këtyre etydeve tematike bëhet e lexueshme se si në mjaft raste arkitektura transformohet në një mjet që mundëson komunikimin mes pushtetit dhe qytetarit. Entitetet arkitektonike apo urbane kthehen ne skena mbi të cilat propaganda materializohet në formë apo hapësirë dhe ku ideologjia modelon vazhdimisht botëkuptimin artistik.
Një ekspozitë nga: Gjergji Islami, Denada Veizaj, Gjergj Thomai, Enrico Fontanari
Koncepti dhe dizajni grafik: Ana Pekmezi
Nën kujdesin e veçantë të: Andrea Maliqari, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës
Mbështetur nga: IUAV, Universiteti i Venecias Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit
Morën pjesë në ceremoninë e çeljes: Alberto Ferlenga, Rektor i IUAV; Andrea Maliqari, Rektor i UPT; Enrico Fontanari, IUAV; Gjergji Islami dhe Denada Veizaj, UPT; Gjergj Thomai drejtor i AQTN