Kontribues ndër vite në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës
Besim Daja (1923–2006)
Arkitekt, profesor, akademik. Lindi në Tiranë, ku kreu dhe gjimnazin. Studimet e larta për arkitekturë i filloi në Lubjanë (1945–1948) dhe i përfundoi në Leningrad (1951). Ka qenë përgjegjës i sektorit të Arkitekturës në Ndërmarrjen e Projektimeve (1951–1953), zv.drejtor i Institutit të Lartë Politeknik (1953–1957), zv.dekan (1957–1965), dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (1965–1970), zv.rektor i UT (1970–1983) dhe themelues e përgjegjës i katedrës së arkitekturës (1951–1983). Është autor dhe bashkautor i teksteve universitare “Bazat e projektimit të shtëpive të banimit” (1986), “Projektimi arkitektonik i godinave social-kulturore” (Vëll. I, 1991) dhe “Gjeometria deskriptive” (1970), “Fjalor terminologjik i arkitekturës” (1968). Besim Daja është autor dhe bashkëautor në vepra të rëndësishme të arkitekturës shqiptare, si: Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, Pallati i Madh i Kulturës, plani urbanistik i Qytetit “Studenti”, projekte të konvikteve universitare, klubi “Studenti”, shtëpi banimi, shkolla etj. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”; ka marrë titullin “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” dhe “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë e të dytë.
Ilia Papanikolla
Isuf Sukaj
Lindi në Kavajë, më 1932. Kreu shkollën e mesme “Politeknikumi 7 Nëntori” në Tirane, në vitin 1952, në degën ndërtesa. Punoi si teknik i mesëm zbatimi deri më 1958. Studimet e larta i kreu pjesërisht në republikën Çekosllovake dhe më pas në universitetin e Tiranës ne vitin 1964, si inxhinier ndërtimi me specialitet arkitekture. Pas emërimit punoi në zbatim si përgjegjës teknik deri ne 1968. Nga viti 1968 deri ne 1992 kur doli ne pension punoi si pedagog i lendes “kompozim arkitektonik” në Katedrën e Arkitekturës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit Tiranë. Për punën shkencore-studimore në fushën e arkitekturës, ne vitin 1984 mori titullin Kandidat i Shkencave, në vitin 1987 mori titullin Docent dhe, në vitin 1994, komisioni i kualifikimit shkencor i dha gradën Doktor i Shkencave.
Gjatë viteve të punës ka përgatitur për botim disa libra dhe tekste mësimore si:
- Projektimi arkitektonik i godinave social-kulturore (bashkautor Besim Daja)
- Ndërtesa për veprimtari shoqërore-kulturore (bashkautor Sokrat Mosko)
- Urbanistika dhe ndërtimet në fshat (bashkautor Enver Faja)
- Historia e arkitekturës ne Shqipëri 1912-1944 (3 bashkautorë)
- Elemente të ndërtesës dhe teknologjia e tyre (bashkautorë Robert Kote dhe Agron Lufi)
Vera Bushati
Ka përfunduar studimet në inxhinieri, profili arkitekturë, në vitin 1969, në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1982 ka mbaruar studimet doktorale dhe në vitin 1986 i akordohet titulli Docent.
Ajo ka një eksperiencë të gjerë në projektim dhe mësimdhënie. Ka qenë Përgjegjëse e Departamentit të Arkitekturës si dhe Dekane e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Hasan Jaho
Hasan Jaho është diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin e Tiranës, me specialitet ndërtimet civile dhe industriale. Ai është “Doktor Shkencash” prej vitit 1985 dhe “Profesor i Asociuar” prej vitit 1999.
Ka qenë pjesë e Katedrës së Gjeometrisë, Zëvendës Dekan dhe më pas Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
Ka drejtuar dhe ka marrë pjesë në zhvillimin e shumë projekteve me rëndësi strategjike për vendin, si hapja dhe ndërtimi i rrugëve Hani i Hotit – Vermosh, Bajram Curri – Valbonë, Bajram Curri – Fierzë, hapja e rrugëve të brendshme në hidrocentralin e Fierzës, hapja e rrugës Elbasan Shpat etj.
Ka zhvilluar punë kërkimore shkencore përmes projekteve ndërkombëtare në Universitetin e Firences dhe Universitetin Politektik të Barit. Është autor dhe bashkëautor i disa teksteve akademike në fushën e gjeometrisë deskriptive dhe vizatimit teknik, si edhe ka hartuar kurrikulat e programeve të ndryshme akademike në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Miriam Bubsi
Robert Kote
Besnik Aliaj
Enver Faja (1934 – 2011)
Arkitekt i njohur, dhe bashkëprojektues në disa vepra të mëdha si Galeria Kombëtare e Arteve, Qyteti Studenti, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, monumenti kushtuar Kuvendit të
Lezhës, Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Faja u shkollua në universitetin e Krakowit (Poloni) në degën e arkitekturës, por i përfundoi studimet në Universitetin e Tiranës në 1960 për shkak të situatës politike në Shqipëri. Ai është autor i mjaft publikimeve mbi arkitekturën dhe urbanistikën dhe konsiderohet si një ndër figurat më të shquara të arkitekturës shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, ai ka qenë i njohur edhe në fushën e diplomacisë. Për disa vjet ka drejtuar ambasadën shqiptare në Poloni.
Agim Myftiu
Tamara Eftimi
U diplomua në arkitekturë në Universitetin e Tiranës në vitin 1969. Ajo punoi si lektore e Projektimit Arkitektonik dhe Fizikës Ambientale.
Tamara Eftimi ka qenë rektore e Universitetit Politeknik të Tiranës. Ajo është shquar për një veprimtarie të gjerë akademike dhe profesionale.
Zonja Eftimi mbante titullin Kalorës i Palmave Akademike, akorduar nga ministri francez i Kulturës.
Engjëll Dhrami
Lida Shuteriqi
Ka kryer studimet e larta dhe është diplomuar në vitin 1980 në degën Arkitekturës në Universitetin e Tiranës. Mbas diplomimit emërohet si arkitekte në Institutin e Ndërtimeve Industriale Nr. 4 në Tiranë ku ka projektuar vepra me rëndësi kombetare. Në 1984 fillon karierën akademike si pedagoge në fushën e ndërtimeve industriale pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik, dega Arkitekturë. Ushtron aktivitetin e saj si lektore në fushën e teknologjisë së arkitekturës. Gjatë aktivitetit pedagogjik ka qënë fituese e bursave kërkimore-shkencore Fulbright në fushën e ndërtimeve teknologjike në Carnegie Mellon University (Pittsburgh, USA) dhe University of Michigan, (Ann Arbor, USA). Ka kryer kërkime shkencore dhe pedagogjike gjatë Projektit Tempus, në Bartlett School of Architecture, Londër. Aktiviteti i mësimdhënies ka qenë i fokusuar në projektimin e ndërtesave industriale, parqeve shkencore, ndërtesave të zyrave dhe çështjeve të sostenibilitetit.
Agron Lufi


